Transmetuar më 11-08-2017, 09:30

Çmimet e banesave thelluan më tej rënien në tremujorin e dytë sipas indeksit të Bankës së Shqipërisë. Rënia e çmimeve ishte 11 për qind sipas matjeve të kryera në Tiranë.

Në të kundërt mësohet se indeksi i çmimeve të qirave ka shënuar rritje, të nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2016.

Ekspertët e tregut pohojnë se çmimet e banesave po bien prej fluksit të lartë të objekteve të reja të banimit që po kryhen në Tiranë.

Dhjetëra blloqe të mëdha banimi po ndërtohen në të gjithë Tiranën duke bërë që çmimi banesave të vihet nën presion në disa zona.

Sipas vëzhgimeve të bëra nga revista ‘Monitor’ në zonën ish- magazinave në Siri Kodra, një kompleks i ri pallatesh që kishte përfunduar punimet qysh në fund të vitit 2016 uli çmimet me gati 100 euro për metër katror.

Menaxherët thanë se çmimet u ulën për shkak të fluksit të lartë të ndërtimeve të reja që po bëhen në zonë. Nga pritshmritë se tregu do të ketë një mbiofertë për ndërtime disa prej ndërtuesve kanë ulur çmimet për banesat e përfunduara nga frika e një flluske të mundshme.

Banka e Shqiperisë nga ana e saj ka analizuar se rritja e treguesve paraprijës të numrit dhe vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, u ndikua kryesisht nga kategoria e ndërtesave për qëllime banimi.

Rritja e numrit të miratuar të lejeve të ndërtimit dhe kontributi pozitiv i investimeve publike sinjalizojnë për vijim të tendencës pozitive të sektorit të ndërtimit edhe në tremujorin e dytë të vitit 2017. Gjithashtu, treguesi i besimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim sugjerojnë se performanca e sektorit ndërtues qëndron në kahun rritës.