Transmetuar më 09-08-2017, 12:42

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, ku mësojnë rreth 1300 nxënës. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili siguroi se në shtator shkolla do të jetë gati për të pritur nxënësit.

“Jam shumë i kënaqur që rikthehemi te shkolla “Vasil Shanto”, pas rregullimeve dhe investimit në territoret e jashtme që sot janë kthyer jo vetëm në një aset për shkollën, por për të gjithë komunitetin që kalon kohën e lirë. “Vasil Shanto” është një nga shkollat elitë të qytetit të Tiranës, ndaj po bëjmë një investim i cili të jetë në të njëjtin nivel siç është edhe cilësia e mësimdhënies në këtë shkollë”, tha Veliaj.

Ai njoftoi se investimi parashikon ndërhyrje në rrjetin elektrik, nyjet sanitare dhe në instalimin e sistemit të ngrohjes.

Investimi tjetër i rëndësishëm në shkollën “Vasil Shanto” është edhe rikonstruksioni i palestrës, e cila ka pësuar dëmtime ndër vite.

“Kjo është palestra ku vjen e gjithë udhëheqja sa herë ka zgjedhje dhe numërohen votat e Njësisë 5. Besoj se tani duhet të kalojmë nga kjo butafori e një palestre që bëhet e famshme njëherë në 2 vjet kur ka zgjedhje, në një realitet që duhet të ndryshojë për ata që këtë palestër ta përdorin përditë, që janë nxënësit e “Vasil Shantos”. Ndaj më vjen mirë që investimet e bashkisë do të prekin totalisht këtë palestër, siç kemi akomoduar ambientet e jashtme dhe ato të mësimdhënies, për t’i vënë një theks më të madh sportit”, u shpreh ai.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës për mësimdhënie, Bashkia e Tiranës do të vijojë mbështetjen me bursa për nxënësit ekselentë. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se për këtë vit janë buxhetuar 3 mijë bursa për më të mirët.

“Këtë vit kemi buxhetuar 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë. Vitin e kaluar kishim rreth 2880, një nismë që u fillua nga Edi Rama kur ishte kryetar bashkie, dhe më vjen mirë që e kemi rikthyer për nxënësit me dhjeta. Kështu që kemi planifikuar më shumë bursa këtë vit, me shpresë që do të kemi më shumë nxënës me dhjeta”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e tregtarëve, të cilët shesin në ambientet e shkollës “Vasil Shanto”, që të zhvendosen në tregjet e licencuara nga Bashkia dhe që ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme.

“Dua t’u kërkoj me mirëkuptim të gjithë atyre që prej vitesh në mënyrë abuzuese shesin në perimetrin e shkollës “Vasil Shanto” produktet e tyre ushqimore. Ky nuk është një treg, ky është një institucion arsimor. Tregu është vetëm 50 metra larg, ku ka ende hapësira bosh. Unë e kuptoj që nuk është e këndshme asnjëherë të shikosh policët bashkiakë që mundohen të lirojnë trotuaret, por duhet të kuptoni që për sa kohë që ky qytet i ka tregjet, e ka pazarin e madh, ka disa hapësira të vogla pothuajse në çdo lagje, është shumë e rëndësishme që të shesim aty”, deklaroi Veliaj.

“Ju kërkoj mirëkuptim të gjithë qytetarëve, që përpara se të kalojmë histeri nëpër rrjete sociale, të kuptojmë se ka një vend ku shitet, ka një vend ku mësohet, ka një vend ku banohet, ka një vend ku ecet. Po ndjekim modelet më të mira perëndimore, ku hapësirat janë të ndara. Ndaj ju kërkoj mirëkuptim që nga perimetri i shkollës ‘Vasil Shanto’, nga perimetri i çerdheve dhe kopshteve, nga trotuaret ku ecin qytetarët, t’i lirojmë këto hapësira pa qenë nevoja që Policia Bashkiake të kërkojë lirimin e tyre”, deklaroi Veliaj.