Transmetuar më 09-08-2017, 08:41

Keni pyetje dhe doni përgjigje për mundësitë e bashkimit familjar në SHBA? Avokati Kieran Both u jep përgjigje të interesuarve që pyesin nëse ka ndaluar procesi i bashkimeve familjare nga emigracioni?

“Unë kam aplikuar për të sjellë motrën time në Amerikë. Desha  të di nëse vizat e bashkimit familjar janë ndaluar  përkohësisht, sepse nuk kam parë ndonjë informacion të ri në internet. Faleminderit. SG”

Ka shumë konfuzion në lidhje me vizat për shkak të të gjitha lajmeve rreth emigracionit. Kërkesat e bëra  për bashkime familjare janë si zakonisht në proces nga Shërbimi i Emigracionit dhe Shtetësinë (USCIS) dhe vizat vazhdojnë të lëshohen nga Departamenti amerikan i shtetit (DOS). Urdhëri i fundit kzekutiv i Presidentit vendos kufizime në lëshimin e vizave për shtetasit e Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit. Megjithatë, peticionet e ribashkimit familjar vazhdojnë procedurën e tyre për individë nga ato vende. Kërkesat për viza  nga shtetasit e vendeve të tjera kalojnë  procesin e tyre  të zakonshëm.

Aplikimet për vëllezërit dhe motrat e shtetasve amerikanë

Si shtetas amerikan, ju mund t’i ndihmoni  të afërmit të bëhen  banorë të përhershëm të Shteteve të Bashkuara duke  marrë dokumentin që quhet “Green Card”. Për ta bërë këtë, ju duhet të sponsorizoni të afërmin tuaj dhe të jeni në gjendje të provoni se keni të ardhura të mjaftueshme ose mjete për ta mbështetur atë, kur të vijë në Amerikë. Filloni procesin duke plotësuar dhe paraqitur Formularin I-130, (Petition for Alien Relative). Ky formular përcakton marrëdhënien familjare që ekziston midis jush dhe atij/asaj. Një shtetas i SHBA i cili është të paktën 21 vjeç ose më i vjetër mund të kërkojë bashkim familjar me vëllezërit ose motrat. Kur paraqisni aplikimin , ju kërkohet të jepni dëshmi për të vërtetuar lidhjen tuaj me personin për të cilin po e bëni.

Data e prioritare

Paraqitja e formularit I-130 dhe vërtetimi i marrëdhënies me aplikantin  e vendos  të afërmin në radhë  me të tjerët që presin të emigrojnë nga i njëjti vend apo rajon, bazuar në të njëjtin raport familjar. Kur i afërmi juaj(motra , vëllai) pasi ka pritur një periudhë kohe, del në krye të radhës , është gati të emigrojë pasi  të ketë kaluar kontrollet dhe përmbushjen e kërkesave të emigracionit për pranim në këtë vend. Ky proces kryhet bazuar në datën prioritare  dmth në datën e paraqitjes së kërkesës suaj. Data ka avantazh për kohën e përfundimit të procesit  më shpejt se të tjerët. Kjo datë që paraqitet në njoftimin e USCIS shënohet si  “Data e përparësisë” tuaj, apo datë prioritare.  Periudha e pritjes llogaritet që nga kjo datë. Për familjarët e shtetasve të SHBA, ndër të  cilët përfshihet bashkëshortin/bashkëshortja/e  shtetasi të SHBA, prindërit dhe fëmijët nën moshën 21 vjec, nuk ka radhë. Për të afërmit e tjerë, duhet të presin disa vite në radhë  për arsye të kërkesave të shumta  dhe kufizimeve të ligjit  të emigracionit për këto raste.

Kërkesa e lexuesit  që na shkruan për motrën e tij hyn në kategorinë e preferencave F4 (Vëllezërit dhe motrat e rritura të shtetasit amerikan). Për kategorinë F4 lëshohen 65,000 viza çdo vit. DOS këto kohë ka njoftuar se pranon dokumente për  Form I-130 që kanë një datë prioritare në ose para datës 15 nëntor 2004. Që nga gushti 2017, pritja në radhë për peticione të paraqitura për  vëllain apo motrën është përafërsisht 12 ½ vjet. Kohët aktuale të pritjes për kategoritë e vizave mund t’i shihni  në “Buletinin e vizave” në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit në adresën e internetit www.travel.state.gov/visa.

Pyetje të tjera nga lexuesit:

Babai im u miratua për shtetësinë amerikane. A mund të marr unë pasaportë amerikane përmes babait? FB

Ju mund të bëheni automatikisht shtetas i Shteteve të Bashkuara nëse përmbushni disa kushte. Ka dy mënyra për të fituar shtetësinë nëpërmjet prindërve : E para që në lindje dhe tjetra pas lindjes, por para moshës 18 vjeç.  Ju mund të bëheni shtetas amerikan kur babai juaj  naturalizohet, por gjithësesi  varet nga ligji që ka qenë në fuqi  në kohën kur keni lindur. Ligji ka ndryshuar gjatë viteve, por zakonisht kërkon një kombinim të prindit që është shtetas i SHBA me kohën kur  ka lindur fëmija si dhe prindërit  duhet të kenë jetuar në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të caktuar kohe. Ne u sugjerojmë që të konsultoheni me një avokat  me eksperiencë të emigracionit për raste të tilla. Ka mjaft për të folur për   fitimin e shtetësisë që do t’i trajtojmë në numrat  e ardhshme të gazetës.

Pyetje tjetër:

Ne jemi një familje prej katër vetash të interesuar për të emigruar në Amerikë. Mund të na ndihmoni? SJ Shqipëri

Për të aplikuar për green card, duhet të kualifikoheni  për një nga kategoritë e mëposhtëme:

Green card përmes familjes.

Green card përmes punësimit ose investimit.

Green card përmes statusit të refugjatit ose azilantit.

Green card për Viktimat e Trafikimit të Qënieve Njerëzore dhe të Krimit

Green card për Viktimat e Abuzimit.

Green card si emigrant i veçantë .

Green card përmes kategorive të tjera si fitues i llotarisë amerikane.

Ne i inkurajojmë njerëzit që të konsultohen me avokat profesionist të  imigracionit për situatat e tyre të veçanta. Për informacione shtesë vizitoni faqen e internetit të shërbimit të Emigracionit (USCIS) në www.uscis.gov

Ose në faqen e internetit të Gjykatës së Emigracionit në www.usdoj.gov/eoir

Qëllimi ynë është të ndihmojmë komunitetin shqiptar, veçanërisht  emigrantët me informacion, duke i aftësuar për të kërkuar ndihmë në mënyrë të pavarur. Ne do të përpiqemi t’u përgjigjem sa më shumë prej tyre  në rubrikën tonë të përjavshme të Emigracionit. /Illyria/