Transmetuar më 08-08-2017, 18:08

Sa herë ka ngjarje kozmike, të apasionuarit pas teorive konspirative gjejnë gjithnjë diçka për të përhapur panik.

Kësaj here, të frymëzuar nga eklipsi i plotë i diellit, që do të ndodhë më 21 gusht, ata kanë paralajmëruar edhe njëherë për mundësinë që planeti misterioz "Nibiru" mund të jetë duke iu afruar Tokës.

Sipas teorisë së numerologut kristian David Meade, eklipsi i këtij muaj është një sinjal që tregon se planeti që vlen për tu theksuar se nuk është observuar kurrë nga shkencëtarët, mund të përplaset me planetin tonë.

Për të krijuar edhe më shumë panik e për të mbështetur teorinë e tij, Meade përdor edhe pasazhe nga Bibla.

Por pavarësisht se nuk ka prova për këtë botë të fshehtë, të cilën NASA e ka cilësuar si "mashtrim interneti", shumë njerëz çuditërisht besojnë se është e vërtetë.

Siç shkruan "DailyMail", Nibiru që shpesh cilësohet edhe si Planeti X është parashikuar disa herë se do t’i japë fund njerëzimit që prej vitit 2013.

Sipas teorive të konsiparicionit, influenca gravitacionale e planetit Nibiru ndërpreu orbitat e planetëve të tjera qindra vite më parë. Ata pretendojnë se kalimi tjetër dërrmues do të jetë në sistemin tonë diellor dhe kjo mund të ndodhë nga momenti në moment.

Shpesh edhe fatkeqësitë natyrore apo sjelljet e pazakonta të motit, ata që besojnë tek ekzistenca e Nibiru, ia faturojnë këtij të fundit. Megjithatë, derisa NASA ta ketë vërtetuar, Nibiru nuk ekziston.