Transmetuar më 08-08-2017, 15:28

Situata e zjarreve që kanë rënë në të gjithë vendin duket të jetë problematike në zonën e Kavajës.

Sipas Emergjencave Civile flakët kanë përfshirë pyjet e fshatit Çikallesh duke djegur dhjetëra hektarë pyje.

Nënkryetari i Bashkisë Kavajë Përparim Çaça bën apel për ndihmë pasi siç thotë ai gjendja është kritike.

“Bëj apel për ndihmë, gjendja është kritike. Janë djegur 60 hektarë sipërfaqe me pisha.

Na ka ardhur në ndihmë edhe ushtria, por ndërhyrja është e pamundur në rrugë tokësore. Nevojitet ndërhyrje me helikopter për të shuar flakët. I kemi bërë kërkesë për ndihmë Emergjencave Civile”, tha Çaça.

Shqipëria po përballet këto ditë të nxehta edhe me zjarre të shumta në të gjithë vendin për shuarjen e të cilëve po merr ndihmë edhe nga Greqia e Italia. Sipas emergjencave civile në të gjithë vendin në 24 orët e fundit janë 14 vatra zjarri.