Transmetuar më 08-08-2017, 12:58

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i cili gjatë gjithë verës ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe problematikave në vend, thumbon sërish.

Me vargjet e një kënge të Jorgo Bllacit të publikuar ditën e sotme në Facebook, ai ironizon situatën në vend.

“Ja skaneri i pamëshirshëm i kohës dhe personazheve ku jetojmë”, shkruan ai në Facebook.

EJA KËNGA IME!…

Jorgo Bllaci

Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimë,

Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,

Vrasësi ku hiqet për viktimë,

Dhe viktimës i kërkon shpagim!

Ku të përdhunuarat gjykohen,

Me të rrugës ligj nga prostitutat,

Ku të marrë e të urtë përgojohen,

Dhe servilët, porsi minj nga skutat,

Dalin, rrahin gjoksin edhe mburren,

Se luftuan vrimash, si heronjtë,

Kuajve të ngordhur tek u sulen,

Për t’u hequr me tërbim patkonjtë…

Ku gjithkushi klith e shfryn paprerë,

Me një duf që mëshirona o zot!

Eja kënga ime, kaq poterë,

Unë e ti nuk e durojmë dot!

Se jo pakëz jeta na ka vrarë…

Ndaj, le t’ikim ku s’na sheh njeri!

Mbase larg në pyjet magjistarë,

Do të gjejmë prehje dhe qetësi!… /a.y/noa.al