Transmetuar më 07-08-2017, 22:13

Kur ka shumë destinacione, zgjedhja është shumë e vështirë. Këto shumëllojshmëri vendesh për pushime i ofron Evropa dhe si pjesë e saj edhe vendi ynë, Shqipëria.

Sajti i njohur për pushimet, “Trip Advisor” ka publikuar një shkrim për 8 liqenet më të vizituara në Evropë, ku mjedisi qetësues, romantik dhe pamjet e mrekullueshme që do të zbuloni, jo vetëm që do t’ju ndihmojnë të relaksoheni por të hidhni pas stresin e akumuluar gjatë ditëve lodhëse të punës. 

Në këtë listë, është përfshirë edhe liqeni i Ohrit, pjesë e UNESCO-S. Ja çfarë shkruhet për liqenin e Ohrit, në Maqedoni dhe Shqipëri.

Imagjinoni të shijoni kafen tuaj të mëngjesit në tarracën e një vile me pamje mahnitëse nga liqeni i Ohrit, a nuk do të ishte idealja për të gjithë ata që janë në kërkim të qetësisë?

Që nga viti 1979, Liqeni i Ohrit konsiderohet si një nga liqenet më të vjetra dhe më të thella të Evropës dhe një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s.

Ai është një ndër liqenet më të vizituara nga turistët që duan pushime të qeta si për banorët e Maqedonisë ashtu edhe ata të Shqipërisë, dy prej vendeve që preken nga ky liqen, por edhe për një numër të lartë vizitorësh nga vende të ndryshme të Ballkanit.