Transmetuar më 04-08-2017, 19:40

Kryeministri Edi Rama publikon raportin e e ankesave nga qytetarët e Kukësit që përmbledh shqetësimet kryesore të banorëve dhe kërkesat e tyre për investime.

Të gjitha këto çështje kanë ardhur pas dëgjesave të shumta publike.

“Është e rëndësishme të cilësohet që të gjitha shqetësimet e ngritura nga qytetarët janë regjistruar dhe përpunuar nga ekipi i drejtuesit politik të qarkut, për t’u integruar në axhendën e politikave publike të qeverisë për ndërtimin e ‘Kukësit që duam’”, shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook.

Postimi i plotë i Kryeministrit Rama:

RAPORTI JUAJ

Pasqyra zgjedhore dhe raporti i dëgjesave për Qarkun Kukës.

Miqtë e këtij rrjeti nga qarku Kukës, janë të lutur të bëjnë sugjerime apo ankesa që sipas tyre mund të mungojnë në këtë raport. Faleminderit.

1. Të dhënat për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Qarkun Kukës

Diferenca e shprehur në votë e të dhënave të zgjedhjeve 2017 krahasuar me 2013 , për tre partitë kryesore në vend, Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, paraqitet si më poshtë:

Qarku Kukës

Partia Socialiste: 18,387 vota (+7,002 vota më shumë se në zgjedhjet 2013)

Partia Demokratike: 22,426 vota(-2,491 vota më pak se në zgjedhjet 2013)

LSI: 5,650 vota (-2,712 vota më pak se në 2013)

Bashkia Kukës

Partia Socialiste: 11,630 vota (+4,931 vota më shumë se në zgjedhjet 2013)

Partia Demokratike: 9,619 vota (-1,633 vota më pak se 2013)

LSI: 3,890 vota (-2,134 vota më pak se në 2013)

Bashkia Tropojë

Partia Socialiste: 3,363 vota (+1,248 vota më shumë se në 2013)

Partia Demokratike: 6,244 vota (-463 vota më pak se në 2013)

LSI: 729 vota (106 vota më pak se 2013)

Bashkia Has

Partia Socialiste: 3,394 vota (+823 vota më shumë se në vitin 2013)

Partia Demokratike: 4,072 vota (-395 vota më pak se në 2013)

LSI: 453vota (-472 vota më pak se në 2013)

2. Raport mbi Dëgjesat Publike në Qarkun Kukës

Raporti i të dhënave mbi dëgjesat publike në qarkun Kukës në kuadër të “Bashkëqeverisjes me njerëzit për Shqipërinë që duam”, i zhvilluar në 3 bashkitë e këtij qarku dhe njësitë administrative nën juridiksionin e tyre.

Në total gjatë muajit korrik janë zhvilluar 25 dëgjesa, përfshirë takimin me të rinjtë në Kampin e Kampionëve organizuar nga FRESSH në Jalë.

Sa i takon metodologjisë së takimeve, duhet theksuar që të gjitha organizimet kanë qenë takime të hapura, publike dhe të njoftuara paraprakisht si në kanalet e medias sociale ashtu dhe në organet e medias konvencionale, për të mundësuar afrimin e një numri të madh qytetarësh të interesuar për të shprehur shqetësimet, nevojat dhe problemet e komuniteteve respektive. Të gjitha takimet janë realizuar në prani të drejtuesit politik të qarkut dhe kandidatëve, të cilët në shumicën e rasteve janë shoqëruar nga kryetari i partisë dhe titullari i njësisë vendore.

Gjithashtu, takimet janë regjistruar dhe publikuar në median sociale, median kombëtare dhe lokale, për të garantuar transparencë publike dhe mundësuar llogaridhënien politike e publike në një moment të dytë.

Së fundi është e rëndësishme të cilësohet që të gjitha shqetësimet e ngritura nga qytetarët janë regjistruar dhe përpunuar nga ekipi i drejtuesit politik të qarkut, për t’u integruar në axhendën e politikave publike të qeverisë për ndërtimin e “Kukësit që duam”.

Në përfundim të këtij procesi mund të themi pa mëdyshje se praktika e “dëgjesave publike” është pritur jashtëzakonisht mirë dhe vlerësuar maksimalisht nga qytetarët. Ky proces është perceptuar tek zgjedhësit si vëmendje dhe angazhim serioz i qeverisë për problematikat dhe shqetësimet e banorëve.

Vlen të theksohet pjesëmarrja masive e banorëve jo vetëm në njësitë administrative, apo qytete, por dhe në zonat e thella malore. Mbi të gjitha theksojmë pjesëmarrjen e konsiderueshme të elektoratit të djathtë, sidomos në bashkinë e Tropojës.

Çdo takim regjistron një numër mesatar pjesëmarrësish nga 40-60 personash në çdo takim, duke mundësuar bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me rreth 1500 qytetarë në rang qarku.