Transmetuar më 04-08-2017, 13:33

Sot, në mesditë, është hedhur në Nyon të Zvicrës shorti i raundit të radhës së Ligës së Europës, ku shqiptarët vijojnë të përfaqësohen me dinjitet nga dy skuadra: Skënderbeu brenda kufijve shtetërorë dhe Shkëndija e Tetovës, nga jashtë vendit.

Bëhet fjalë për “play-off”-in e këtij kompeticioni europian, pas së cilit vjen faza më e lakmueshme nga të gjithë, ajo e grupeve.

Skuadra korçare e ka shijuar para dy sezonesh këtë “stacion”, teksa erdhi si pjesëmarrëse në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve.

Skuadra tetovare do të ndeshet me kuqezinjtë e Milanit, tashmë nën pronësinë e kinezëve, por me një “palmares” të jashtëzakonshëm nën drejtimin e ish-presidentit, Silvio Berluskoni, shkruan telesport.

Kuqebardhët e Ilir Dajës i ka përballuar shorti i sotëm me Dinamon e Zagrebit, një kundërshtar me të cilin u ndeshën edhe në para dy vitesh në “play-off” të Ligës së Kampioneve.

Skënderbeu, deri më tani, ka kaluar tri ture, duke fituar ndaj Santa Julia të Andorrës (6-0 në total), Kairat Almaty të Azerbajxhanit (3-1 në total) dhe Mlada Boleslav të Çekisë (3-3, 4-2 penallti).

Kujtojmë se ndeshjet e “play-off”-it të Ligës së Europës do të luhen më 17 dhe 24 gusht, me sistemin vajtje-kthim. Çfarë vjen më pas? 22 fituesit e “play-off”-it shkojnë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni, shorti për të cilën do të hidhet në Monako, në orën 13:00 të së premtes së 25 gushtit.