Transmetuar më 02-08-2017, 13:05

Zërat që deri tani ka qenë të pakonfirmuara nga asnjëra prej palëve, duket se po bëhen më konkrete orët e fundit, lidhur me transferimin më të kushtueshëm të të gjitha kohërave në botën e futbollit. Neymar Jr, është rikthyer mëngjesin e sotëm në Barcelonë dhe mesa duket vetëm për të bërë gati valixhet e për të takuar shokët e ekipit. Ai ka shkuar pranë ekipit, por nuk ka dalë në stërvitje me pjesën tjetër.

Vetë klubi ka sqaruar se trajneri Valverde i ka dhënë brazilianit leje për të zgjidhur të ardhmen e tij. “O Ney” shkoi me vonesë në qendrën stërvitore të ekipit blaugrana, për t’u komunikuar shokëve të skuadrës dhe stafit teknik dëshirën për t’u transferuar te Paris SG, duke e bërë thuajse zyrtare atë që përflitet javëve të fundit në mediet sportive botërore,- shkruajnë mediat spanjolle.

“El Mundo Deportivo” njoftoi komunikatën zyrtare të “divorcit” që Neymar u kishte bërë shokëve të skuadrës e që flet për një kalim të mundshëm të brazilianit nën kullën “Eiffel” brenda kësaj të premteje.

Kjo media ka theksuar gjithashtu se situata brenda ekipit e ka bërë thuajse të pamundur qëndrimin e tij me katalanasit. Ndërkohë, e përditshmja tjetër “Sport” publikon një lajm ekskluziv të sajin disi tronditës.

Edhe nëse PSG-ja do të paguante klauzolën prej 222 milionë eurosh, La Liga (shoqata e klubeve profesioniste spanjolle) nuk do të pranonte transfertën dhe nuk do t’i mundësonte ndryshimin e fanellës brazilianit Neymar. Në bazë të këtij vendimi duket se qëndron çështja e “Fair Play”-t financiar dhe situata kontraktuale e vetë sulmuesit brazilian.

Gjithsesi, palët kanë menduar ta zgjidhin në një mënyrë tjetër këtë ngërç. Kompania “Qatar Investments” që është në pronësi të sheikut Al-Kelaiffi do t’i transferojë Neymar plot 300 milionë euro në llogarinë personale si imazh për Botërorin 2022 që do të organizohet pikërisht në Lindjen e Mesme. Me këto para Neymar do të mund të paguajë vetë klauzolën e largimit nga Barcelona.