Transmetuar më 29-07-2017, 11:16

Gianni de Biasi është ende duke pushuar me familjen dhe miqtë, por ofertat vazhdojnë dhe ai mendon sigurisht rreth tyre.

Në një intervistë ekskluzive për Dash Frashëri në Vip Sport, De Biasi ka treguar që është duke parë disa kampionate evropiane, klube që më parë i kishte refuzuar megjithatë më shumë mundësi ka që ai të largohet nga Evropa.

"Ok! Kam diçka, nuk mund ta mohoj. Ende nuk e kam të kristalizuar se cilën duhet të zgjedh Kinën apo Japoninë, pasi kam disa kontakte konkrete nga të dy vendet. Personalisht, do të preferoja Japoninë, edhe pse si vend më duket tepër strikt e të ftohtë në përgjithësi për jetën.

Janë komplet ndryshe nga Italia dhe Shqipëria. Gjithsesi, brenda disa javësh do të vendos se ku do të shkoj", ka thënë ai duke shprehur edhe një herë gjatë kësaj interviste që vitet në Shqipëri ka qenë ndër më të bukurat e jetës së tij.

Gianni de Biasi ka treguar gjatë intervistës edhe për ngjarjen e rëndësishme në familjen, diplomimin në Mjekësi të vajzës së tij të vetme, me rezultate të shkëlqyera.

Chiara Sofia gjatë Evropianit të kaluar u etiketua në media si italiania që mbështet Shqipërinë. Tani do i duhet të mbështesë një skuadër shumë më të largët.