Transmetuar më 28-07-2017, 18:44

Ismail “Ballist” Morina, i njohur për autorësinë e ngritjes së dronit në Beograd më nëntor të vitit 2015, vazhdon të jetë pas hekurave në Kroci, aty ku qëndron i ndaluar prej afro një muaji.

Nga informacionet e fundit Morina ka dalë tri ditë më parë në gjykatën e Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku togat e zeza kanë vendosur ekstradimin e tij në Serbi, pasi sikundër dihet prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka një urdhër ekstradimi nga shteti serb lidhur mbi ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri ku ngritja e një droni me një baner të mbishkruajtur Autochtonus solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Dubrovnikut është siguruar edhe nga Opinion.al. Të kontaktuar nga Opinion.al, familjarë të Ballist Morinës janë shprehur se po bëjnë të pamundurën që i afërmi i tyre të mos ekstradohet dhe për këtë qëllim vendimin e Shkallës së Parë do ta apelojnë më tej.

Pranë Ballist Morinës në këto momente ndodhet bashkëshortja e tij italiane, me profesion avokate, e cila edhe pse shtatzënë nuk e ka braktisur të shoqin në këto momente të vështira për të.

Xhevahir Morina, i vëllai i Ballist Morina, është shprehur se nëna e tyre ka qenë këto ditë në Tiranë, ku ka pasur takime me zyrtarë të lartë, duke specifikuar përfaqësues pranë Ilir Metës dhe Ministrin e Brendshëm teknik Dritan Demiraj, por ende nuk kanë marrë një sinjal të qartë ndihme për të afërmin e tyre që rrezikon që që nga Heroi i Beogradit tani të jetë i Burgosuri i Beogradit, nëse shteti kroat vendos ekstradimin e tij në Serbi.

Po kështu Xhevahiri është shprehur se nëse Ballist Morina ekstradohet ai do të ndërmarrë aktin ekstrem të vetëflijimit. Koha për të dërguar në Apelim vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë është e pakët për Ismail Morinën. Ai duhet ta bëjë Apelimin brenda tri ditësh nga dita e sotme. Më poshtë faksimile e vendimit të Shkallës së Parë së Gjykatës së Dubrovnikut që pranon kërkesën e palës serbe për ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi për gjykim.