Transmetuar më 28-07-2017, 16:31

Kjo është koha më e përshtatshme për të përgatitur këtë tortë pasi pjeshkët janë në kohën e tyre më të mirë.

Përbërësit për 8 persona

Për brumin: 400 gr miell, 3 të verdha veze, 1 lugë e vogël sodë buke, 100 gram sheqer pluhur, 120 gram gjalpë i ftohtë.

Për mbushjen: rreth 800 gram pjeshkë, 150 gram sheqer i kafë, 1 limon.

Përgatitja

Përgatisni brumin frolla dhe ndajeni në dy pjesë. Një pjesë vendoseni në frigorifer te pjesa e freskët dhe tjetrën vendoseni te ngrirja.

Përgatisni mbushjen e tortës. Pastroni pjeshkët nga lëkura dhe pritini në copa të vogla. Vendosini të gatuhen në një enë me fund të trashë me sheqerin dhe lëngun e limonit dhe 1 gotë ujë. Lërini të gatuhen ngadalë ngadalë sikur të bëni një reçel. Kur pjeshkët të zbuten dhe lëngu  të jetë trashur, hiqeni dhe lëreni të ftohet.

Hapni me ndihmën e një letre furre brumin që keni lënë te pjesa e freskët. Torta është për një tavë torte me diametër 20 cm. Llogariteni ta hapni petën dhe pak me të madhe se duhet të vishen dhe anët e tortierës, sqaron Adda’s All. Hidhni në mes mbushjen me pjeshkë.

Merrni brumin frolla që kemi lënë në ngrirje dhe me anën e një rendeje, grijeni sipër tortës duke mbuluar gjithë sipërfaqen e saj. Vendoseni të piqet në furrën e nxehur më parë në 180° për 30 minuta. Lëreni të ftohet paksa dhe shërbejeni. Kjo tortë është shumë e përshtatshme dhe për mëngjes.