Transmetuar më 27-07-2017, 09:26

Kur paguan në plazhe private për shezlong dhe çadër duhet të pajisesh edhe me kupon tatimor. Por duket se kjo nuk ndodh në një pjesë të plazheve të vendit. Në Durrës pushuesit tregojnë se nuk kanë marrë kupon ndërkohe që në Vlorë kuponi tatimor, sipas tyre, jepet gjithmonë

Pothuajse asnjë nga pushuesit që paguajnë çadrën dhe shezlongët në plazhin e Durrësit nuk pajiset me kupon tatimor.

Vetë pushuesit shprehen se nuk e kanë marrë kuponin, por nga ana tjetër edhe nuk e kanë kërkuar atë.

“Japim 3000 lekëshin, na japin një faturë të thjeshtë. Nuk na jepet kuponi tatimor” thonë disa nga pushuesit.

Ndërkohë një tjetër situatë paraqitet në plazhet e bregdetit të Vlorës ku sipas pushuesve është vërejtur përmirësim dhe ndërgjegjësim i administratorëve, që zotërojnë hapësirat në plazhe, duke nisur nga dhënia e kuponit tatimor që nuk mungon asnjëherë.

“E kam marrë kuponin tatimor. Po e marrim gjithmonë kuponin, është bërë gjithçka me rregull tani këtu. Kuponin tatimor na e japin vazhdimisht, çdo gjë është në rregull, jemi shumë të kënaqur” u shprehen pushuesit.

Çdo subjekt tregtar është i detyruar me ligj që të lëshojë kupon tatimor për çdo produkt që shet dhe në këtë drejtim nuk bëjnë përjashtim as personat që menaxhojnë plazhe private.

Liçensa për të ushtruar aktivitetin në plazhe private merret nga bashkia e qytetit së cilës i paguhet edhe tarifa e plazheve private por ajo që vërehet është në disa bashki të vendit ndoshta mungon kontrolli për kuponin tatimor.