Transmetuar më 27-07-2017, 08:34

Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka nisur një aksion për rrëzimin e objekteve të shpronësuara në zonën e Himarë-Dhërmiut duke shkatërruar edhe prona të minoritetit grek çka solli reagimin e fortë nga ministria e Jashtme greke me një notë proteste.

Aksioni është bërë në zonën e Potamit, pranë rrugës nacionale, ku janë shembur ndër të tjera një hotel pesëkatësh dhe një godinë tjetër që përdorej si subjekt tregtar. Ky aksion ven në kulmin e sezonit turistik dhe përfshiu hotele ku turistët kanë parapaguar dhoma dhe tani përballen me prishjen edhe të planeve të tyre vjetore për pushime.

Mësohet se shembjet janë bërë në kuadër të planit rregullues për zonat e bregdetit dhe në ditët e ardhshme do të shemben objekte të tjera. 

Në këtë aksion inspektorët e IKMT-së janë asistuar nga policia e rendit dhe agjentët e FNSH-së për të shmangur çdo problematikë. 

Pronarët e objekteve kanë kërkuar të njihen me vendimin e Këshillit të Ministrave, edhe pse prej dy ditësh objekti ka nisur të zbrazet. Pavarësisht debateve, IKMT nisi prishjen e objektit me anë të mjeteve të rënda. 

Athina zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, evidenton se ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave është e lidhur shprehimisht me mbrojtjen e pasurive të pjesëtarëve të minoriteteve, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave të BE-së si një prej kushteve të para për fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. 

“Për fat të keq, duke iu shmangur çdo nocioni të shtetit të së drejtës, autoritetet shqiptare filluan prishjen në Dhërmi të pronave turistike që iu përkasin anëtarëve të minoritetit kombëtar grek. Prishja e tyre është kryer pavarësisht nga dispozitat e ligjit shqiptar dhe para se të dalin vendimet e formës së prerë nga gjykata”, thotë deklarata. 

Kjo, sipas palës greke, konfirmon se Shqipëria nuk i ka kuptuar kërkesat e Këshillit të Ministrave të BE-së. Ministria e Jashtme e Greqisë rikujton se mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, por kusht i kësaj ecurie europiane është dedikimi i këtyre vendeve tek standardet evropiane dhe tek shteti i së drejtës. 

Top Channel kontaktoi dhe Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, lidhur me reagimin e ardhur nga pala greke, por deri më tani ky institucion nuk ka dalë me asnjë qëndrim.