Transmetuar më 16-07-2017, 11:50

Vajza e Linda Ramës, Rea Xhillari, në një intervistë për revistën "Bordo", flet mbi profesionin, ëndrrat e pasionet, kujtimet në shtëpinë e fëmijërisë, marrëdhënien me vëllanë Zaho dhe rëndësinë e Edi Ramës në jetën e saj, me të cilin ndajnë të njëjtin pasion, pikturën

Takimi i parë me Rean ishte i shkurtër, por mjaftueshëm për të kuptuar shumë rreth saj. Do të gënjeja nëse do të thoja se vajza që jeton në familjen kryemistrore, prisja të ishte si Rea. Sepse prisja një Rea paksa të llastuar, pse jo edhe pak mendjemadhe, që do të zgjidhte ajo për çfarë dhe si do të bëhej intervista, dhe fakti që vajza e Linda Ramës nuk kishte dhënë asnjë intervistë, edhe pse shumë media ia kanë kërkuar, m’i përforconte edhe më shumë këto ‘pritshmëri’, që kisha për të. Teksa Rea afrohej në tavolinë e veshur thjeshtë, me tiparet njësoj si mami Linda, e pasi u përshëndetëm, ndjeva se e njihja prej kohësh. U deshën vetëm pak minuta që të ‘ç’armatosesha’, nga gjithçka kisha menduar pak më parë për të. Rea u tregua tejet e gatshme të ndante çdo gjë me ne, lidhur me profesionin si arkitekte, ëndrrat e pasionet, kujtimet e saj në shtëpinë ku është rritur, marrëdhënien me vëllanë e vogël Zaho, raporti që ka me Gregorin, dhe sa e rëndësishme është figura e kryeministrit Edi Rama në jetën e saj, me të cilin për koincidencë ndajnë të njëjtin pasion, atë për pikturën.

Rea ju jeni pjesë e familjes kryeministrore. Ç’raport keni me z. Rama?

Ne nuk jemi familje kryeministrore po prej tre vitesh e gjysmë kemi një kryeministër në familje! Kjo do të thotë se për mua Edi është kryeministër si për gjithë të tjerët, po ndryshe nga të tjerët unë e kam dhe do ta kem gjithnjë të rëndësishëm në jetën time, pavarësisht nga statusi i tij zyrtar apo social.

A këshilloheni ju me të, si dy artistë dhe a shkëmbeni ide për ndonjë projekt?

Në kohën shumë të kufizuar që e gjej pa telefonin që nuk i ndahet as kur është duke kaluar orët shumë të rralla të pushimit, është kënaqësi të flas me Edin për artin, modën, filmin dhe patjetër edhe për idetë e mia. Por, padyshim Linda është shoqja ime e pandarë e bashkëbisedimeve të gjata dhe këshilluesja ime më e mirë.

Ju postoni shpesh foto me më të voglin e familjes, Zaho. Kaloni shumë kohë me të? Si është Zaho kujt i ngjan më shumë?

Di të them se sa herë kam mundësi e kaloj kohën me të e nuk ngopem dot me Zahon! Është një rreze drite dhe një super çun, po jam shumë xheloze për ta ndarë me të tjerët kur kërkojnë të shuajnë kuriozitetin lidhur me të. Kështu që asnjë fjalë më tepër për vëllaçkon tim!

Po me Gregorin, djalin e madh të Kryeministrit çfarë raporti keni krijuar, në fillim jeni shfaqur shpesh bashkë në publik?

Gregu është njish! I talentuar, gjithë humor të veçantë, shumë shok i mirë për mua.

Intervistën e plotë e lexoni në faqen e revistës "Bordo"