Transmetuar më 15-07-2017, 20:42

Kryeministri Edi Rama ka ftuar qytetarët që të vlerësojnë me notë shpërbimet që marrin në institucionet publike. Përmes një statusi në Facebook, kreu i qeverisë ka sqaruar se institucione publike, zyrat, sportelet, etj do jenë nën gjykimin e qytetarëve.

Qytetarët duhet të japin vlerësimin e tyre nga 1-10.

“Çdo institucion, zyrë, sportel, që u shërben qytetarëve do të jetë i gjykueshëm nga çdo qytetar/e që do të dëshirojë të vendosë notën e tij/saj (nga 1-10) pas marrjes së shërbimit.

Nga notat e qytetarëve do të gjenerohet periodikisht një notë mesatare e cila do të bëhet publike. Ky vlerësim do të mundësojë informimin në kohë reale të publikut dhe të qeverisë, për nivelin e pëlqyeshmërisë së shërbimit në çdo zyrë a sportel të shtetit në rang republike”, shkruan Rama.

Ai thotë se nga ky vlerësim i qytetarëve, do të merren edhe masat administrative.

“Përmes këtij vlerësimi, do të dalë edhe një koeficient për vlerësimin zyrtar të çdo drejtuesi të një institucioni shërbimesh, në nivel qendror apo vendor. Mbi bazën e këtij koeficienti do të ngrihet edhe një seri masash administrative, që nga shpërblimet e fundvitit për ata që shkëlqejnë, tek penalizimet përkatëse për ata që nuk e kalojnë provimin e publikut”, përfundon postimi i Kryeministrit.

Pak ditë më parë, Edi Rama publikoi një listë me 100 emra, që sipas denoncimeve të qytetarëve, kanë abuzuar me detyrën. /k.k/noa.al/