Transmetuar më 12-07-2017, 19:31

Bazuar në dokumentet zyrtare të Bashkimit Europian, Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të përfitojë më shumë fonde nga BE, në krahasim me 5 vendet e tjera të rajonit të pranishme në samitin e Triestes.

Nga këto dokumente zbulohen edhe shumat të cilat ka përfituar Shqipëria.

Bashkimi Europian aprovoi një grant prej 3.35 milionë eurosh për Shqipërinë që do të përdoren për të realizuar pesë projektet e propozuara.

Komisioneri Hahn bëri të ditur në samitin e Triestes se këtij fondi do t’i shtohen edhe 220 milionë euro që do të shpërndahen midis më shumë se 6 mijë kompanive vendase në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit.

Në vitin 2016, Shqipëria ishte i treta në rajon duke marrë 24% të fondit të përgjithshëm të vendosur në dispozicion.

Tre projektet e aprovuara një vit më parë janë gazsjellësi Adriatiko-Jonian, gazjsellësi Shqipëri-Kosovë-Serbi dhe hekurudha Vorë-Hani i Hotit.

Në total, Bashkimi Europian ka vendosur që të investojë në Ballkanin Perëndimor mbi një miliardë euro në formë granti.