Transmetuar më 11-07-2017, 14:36

Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime vijuan edhe këtë fillimjavë punën për disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm dhe menaxhimin e situatës së emergjencës në kryeqytet, si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur.

Puna e grupeve të punës së Task Forcës, me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, u përqendrua dje në zonat: Farkë, Zall Herr, Petrelë, Babrru, Rr. “Dhimitër Kamarda”, Rr. “Ali Demi”, Rr. “Kont Urani”, Rr. Elbasanit, Rr. “Hoxha Tahsin”, Rr. “M.Shyri”, Liqeni i Thatë, Rr. e Kosovarëve, zona e “Qytetit Studenti”, zona e ish-Parkut të Autobusëve, si dhe në linjat e transmetimit DN 700 dhe DN 1000.

Në fokus të punës së tyre ishte shkëputja e çdo lidhje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe të çdo rasti tjetër të abuzimit me ujin e pijshëm.

Nga monitorimi i situatës në terren u verifikuan 709 raste, ku u identifikuan dhe u shkëputën 70 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje apo për larje të automjeteve.

Në ato raste kur grupet e Task Forcës kanë evidentuar abuzime, subjektet u gjobitën sipas parashikimit në ligj. Vetëm dje u vendosën gjoba për 7 abonentë familjarë dhe për tre biznese.

Krahas masave të marra për prerjen e lidhjeve të paligjshme, si dhe të çdo rasti tjetër të abuzimit me ujin e pijshëm që përdoret për qëllime të tjera, kryesisht për ujitje të tokave dhe të mbjellave bujqësore, është punuar edhe për lidhjen e kontratave të rregullta me UKT, si dhe për vendosjen e matësve të rinj të ujit.

Vetëm dje u nënshkruar 11 kontrata të reja, si dhe 17 aktmarrëveshje për pagesën e ujit. Gjithashtu, specialistët e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë instaluan edhe 121 matës të rinj uji.

Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion të qytetarëve dy numra telefoni pa pagesë, 08004488 të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë 08000888, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, apo të denoncojnë rastet e abuzimit të cilat dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit.