Transmetuar më 10-07-2017, 11:51

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rindërtimin nga e para të rrugës “Kahreman Ylli” dhe të segmentit që e lidh atë me rrugën “Hysen Xhura”. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se rruga ofron standardet e nevojshme jo vetëm në sinjalistikë, por edhe në jetëgjatësinë e saj, pasi më parë janë kryer të gjitha punimet nëntokësore.

“Fillimisht shtruam ujësjellësin, bëmë kanalizimet, pusetat, pra gjithë rrjetin nëntokësor, e mandej bëmë shtresat e asfaltit, sinjalistikën, ndriçimin, gjelbërimin. Kjo është mënyra e duhur! Për të mos shkuar në Tiranën e katër viteve të gjumit, ku fillimisht bëhej një asfalt dhe pastaj çahej toka për të bërë punimet e tjera”, tha kryebashkiaku.

Veliaj deklaroi se edhe ky investim i jep jetë atij që në Planin e Përgjithshëm Vendor konsiderohet si një nga qendrat e Tiranës policentrike.

“Kjo është një rrugë që është bërë për së mbari dhe në këtë pol, që është poli i Kinostudios në Tiranën policentrike, pra një qendër më vete, them që kemi hedhur baza të mira”, shtoi Veliaj.

Ai tha se Bashkia e Tiranës, në vijim të detajimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, po bashkëpunon me Universitetin e Harvard-it për të përcaktuar se si këto zona do të zhvillohen në pole të veçanta urbanistike.

“Kemi një ekip arkitektësh të Universitetit të Harvard-it, të cilët si për zonën e Kinostudios, edhe për Kombinatin, Laprakën, pra që janë qendrat e reja të Tiranës policentrike, deri në fund të verës do të përgatisin një plan urbanistik vetëm për këto qendra. Duke qenë se në këtë zonë kemi tashmë dy ministri, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Kulturës, duke qenë se shumica e bankave kanë degët e tyre, shkollat, gjimnazet, disa fakultete të Universitetit të Mjekësisë, pra ka mjaftueshëm shërbime administrative komerciale, për t’u trajtuar si një qendër më vete”, tha Veliaj.

Ai shtoi se edhe ky investim që i vjen në ndihmë të gjithë banorëve, krijon edhe premisën që kjo zonë të jetë një nga qendrat e reja të Tiranës. /a.y/noa.al