Transmetuar më 07-07-2017, 19:47

Krijohet telefoni i parë i cili funksionon pa bateri, pa karikues dhe pa pasur frikë se mund të fiket papritur. Ka nevojë vetëm për disa watt që kapen përmes valëve të radios ose për dritë dielli.

Për krijimin e tij studiuesit amerikanë të Universitetit të Washington, e rikonceptuan nga e para dizajnin dhe të gjitha pjesët e tij.

“Telefoni është pajisja nga e cila varemi gjatë gjithë ditës. Nëse ka diçka që duam ta përdorim pa pasur nevojë për bateri është ky”, tha Joshua Smith, njëri nga autorët e studimit.

Ky celular është në gjendje të marrë telefonata, të transmetojë të dhëna dhe të dërgojë komanda.

Për të punuar pa bateri, telefoni i ri shfrytëzon dridhjet që prodhohen në mikrofon ose në altoparlant kur bëhen ose merren telefonata. Një antenë e lidhur me këto pjesë, garanton karikimin e tij.

Ndërkohë energjia tjetër që duhet për funksione të tjera, merret nga valët e radios ose nga një transmetues dritë, në sajë të miniqelizave diellore. /a.y/noa.al