Transmetuar më 04-07-2017, 21:15

Jeta e një adoleshenti shqiptar i cili kishte zgjedhur Italinë për një jetë më të mirë, u shua të martën pasi u masakrua me thikë deri në vdekje nga një djalë 19-vjeçar italian.

Viktima është 17-vjeçari shqiptar, Pandi Lavdari, i cili u plagos të hënën me thikë nga një i ri italian, raporton noa.al duke cituar burime nga policia lokale.

Në fotot shikoni pamje nga vendngjarja dhe të ndjerit si dhe autorit të dyshuar.

Djaloshi shqiptar ka ndërruar jetë në spital, pasi nuk mundi t’i mbijetojë plagës së marrë me thikë në kraharor nga rivali i tij në dashuri, Simone Madaluno.

Ngjarja ka ndodhur në Stradela (Rajoni Pavia – Itali), ku shqiptari së bashku me autorin e dyshuar, Simone Madalunon pëlqenin të njëjtën vajzë.

Dhe ka qenë pikërisht ajo molla e sherrit mes të dyve.  

Konflikti i parë i madh mes të dyve lindi mbrëmjen e së dielës në një diskotekë.

Një shikim i tepërt ndaj vajzës që pëlqenin të dy, shtyrje dhe grushte, më pas secili shkoi në shtëpinë e vetë.

Shqiptari dhe italiani kishin lënë një pikë takimi për t’u “sqaruar” dhe aty u përleshën sërish.

Italiani Madaluno ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur shqiptarin në kraharor. Kanë qenë banorë të zonës ata që lajmëruan autoritetet.

Edhe pse shqiptari është dërguar me shpejtësi në spitalin e Pavias gjendja e tij nuk u përmirësua deri ditën e sotme.

Ai iu nënshtrua një operacioni ditën e djeshme, por pa sukses.

Ndërkohë, 19-vjeçari italian është arrestuar, ndërsa karabinierët kanë sekuestruar armën e krimit.

Miqtë e të miturit shqiptar dhe të riut italian, tregojnë se ata janë konfliktuar edhe herë të tjera.

Disa nga të njohurit e të ndjerit dhe të dyshuarit, po pyeten në polici për të hedhur sa më shumë dritë rreth ngjarjes. /noa.al/