Transmetuar më 03-07-2017, 12:11

Arsene Wenger është gati të boshatisë arkat e Arsenalit për të siguruar shërbimet e talentit francez Kylian Mbape. Mediat angleze kanë shkruar këtë të dielë se tekniku i gjithëpushtetshëm i “Topçinjve” të Londrës do t’i paraqesë gjatë javës një ofertë të frikshme Monakos, që arrin shifrën 142.5 milionë euro.

Mësohet se Venger gjatë ditëve të fundit ka biseduar disa herë me Wilfried Mbapé, babain e futbollistit, i cilit ua ka bërë të qartë se nëse pranon ofertën e Realit të Madridit, do të ketë shumë pak minuta në dispozicion, pasi nuk mund të zbresë në fushë para emrave të tillë si Cristiano Ronaldo, Gareth Bale apo Karim Benzema.

67-vjeçari i premton talentit të skuadrës nga Principate vendin e titullarit, pra që lojtari nuk do të rrezikojë të qëndrojë në stol. Me këtë argument dhe me 142.5 milionë euro në tavolinë, Wenger shpreson ta transferojë Mbappenë në Londër.

Nëse ky transferim do të përmbyllet me këto shifra, do të shënojë një tjetër rekord përsa i përket merkatos, që aktualisht mbahet nga Paul Pogba, për të cilin Manchester United shpenzoi 105 milionë euro.