Transmetuar më 15-06-2017, 15:30

Një tjetër rast i lojës së rrezikshme online “Balena blu” shënohet në vendin tonë. Rasti i fundit është shënuar në Tropojë, ku i prekuri është një djalë 27 vjeç.

Gjatë ditës së djeshme ka bërë kallëzim në polici Ç.I., 67 vjeç, banues në “Bajram Curri, i cili ka kërkuar ndihmë për të shpëtuar jetën e të birit.

Burime nga policia i thanë Noa.al, se i moshuari ka kallëzuar para uniformave blu, se i biri E.I., 27 vjeç, ka shfaqur çrregullime mendore dhe ka nisur të sillet ndryshe, pasi dyshohet se në kompjuter përdor një lojë të rrezikshme, e cila dyshohet të jetë “Balena blu”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua njësia qendrore e kompjuterit dhe dy celularë smartphone.

Lidhur me këtë ngjarja materialet i’u referuan Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.

Kujtojmë se loja “Balena blu” i vë të rinjtë përpara një sërë sfidash mjaft të rrezikshme të cilat përfundojnë me vetëvrasjen e tyre, duke u hedhur nga lartësia e një ndërtese shumëkatëshe.

Bëhet fjalë për 50 nivele të lojës, ku niveli i fundit konsiston në vetëvrasjen si mënyrë për ta “fituar” atë, ndërsa premtohet se pas plotësimit të të gjithë niveleve do të ndodhë ringjallja. /a.y/noa.al