Transmetuar më 26-05-2017, 12:39

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, uron gjithë besimtarët për agjërim të mbarë, me rastin e nisjes së muajit të Ramazanit.

Ai thotë se nesër me datë 27 maj është dita e parë e këtij muaji të bekuar, dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit për të gjithë besimtaret myslimane anë e mbanë botës.

“Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Ramazani është muaji ku dalin në pah vlerat universale humane; të bujarisë, të mirësisë, të dashurisë, te respektit ndaj njeri-tjetrit, vlerat që simbolizojne moralin e lartë shoqëror. Ramazani është një kohë e rëndësishme reflektimi për të gjithë besimtarët për të përmirësuar lidhjet fare-fisnore dhe shoqërore me njëri-tjetrin, për të forcuar ndjenjën e bujarisë dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë! Është momenti kur besimtarët rifreskojnë beslidhjen e tyre me Krijuesin e Gjithësisë, duke forcuar raportin me Zotin”, thotë Bruçaj në urimin e tij.

Më tej shton se agjërimi i muajit të Ramazanit mundëson një barazpeshë mes shpirtërores dhe materiales, mes zemrës dhe arsyes, mes vullnetit dhe diturisë.

Agjërimi i afron besimtarët më shumë me vlerat e dashurisë, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit, dhe çdo besimtar ndjehet më afër dhe më mirënjohës ndaj mirësive të Zotit të botërave.

Kreu i KMSH thotë se Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, për të trokitur në portën e Mëshirës së Pafundme, të të Gjithëmëshirshmit, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt maturimit të zemrave, drejt fisnikërimit të ndjenjave, drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Krijuesin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë.

“Ky muaj i begatë na sjell në vëmendje kujdesin dhe përkushtimin që duhet të kemi për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë që kërkojnë kujdesin tonë në përmbushjen e nevojave të tyre, në mënyrë që të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja në të gjitha familjet shqiptare. Të dashur vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, në Shqipëri dhe jashtë saj, uroj dhe lutem përzemërsisht për të gjithë që devotshmëria, përkushtimi dhe sakrifica që do t`ju shoqërojë gjatë këtij muaji të bekuar, Krijuesi e Gjithësisë t’jua kthejë në mirësi, mbarësi, dhe paqe mbi të gjithë ju, familjet tuaja dhe mbarë shoqërinë”, thotë në mbyllje të urimit Skënder Bruçaj.