Transmetuar më 19-05-2017, 22:55

Në ishullin Rodos të Greqisë, do të organizohet më 22 dhe 23 Maj 2017, Konferenca e dytë për Sigurinë dhe Stabilitetin. Ajo do të jetë vazhdimi i një nisme të Ministrit të Jashtëm të Greqisë z. Nikos Kotzias, nëpërmjet së cilës synohet hartimi i një axhende pozitive bashkëpunimi midis vendeve të botës arabe, të Ballkanit dhe të Mesdheut juglindor.

Në Konferencën e pritshme të Rodos do të marrin pjesë Ministra të Jashtëm dhe funksionarë të lartë nga vende të ndryshme, të cilët do të diskutojnë mbi sfidat me të cilat përballet rajoni i Mesdheut Lindor në fushën e sigurisë dhe do të shqyrtojnë mundësi avancimi të aktiviteteve të përbashkëta në fushat e kulturës, të arsimimit dhe të ambientit. Tema kryesore e Konferencës do të jetë bashkëjetesa dhe bashkëpunimi në kushte paqeje dhe stabiliteti (‘’Live and Work Together in peace and Stability’’).

Konferenca e parë për Sigurinë dhe Stabilitetin, e cila u mbajt vjet në Rodos (8-9/9/2016), tregoi vlerat e mëdha që ofron dialogu konstruktiv mbi çështje që ndihmojnë në avancimin e bashkëpunimit, si midis Qeverive, ashtu edhe midis bizneseve, qytetarëve, universiteteve dhe qendrave kërkimore mbi çështje të interesit të përbashkët. Qasja pozitive dhe krijuese me të cilën u shqyrtuan çështjet konkrete – e njohur tashmë edhe si ‘’fryma e Rodos ‘’ – nga një anë, është e sigurtë që rrit akoma më shumë mundësitë për të pasur rezultate të prekshme, dhe nga ana tjetër, inkurajon krijimin e klimës miqësore.

Konferenca e dytë e Rodos i gjen shtetet pjesëmarrëse përballë një sërë problemesh të rëndësishme, siç janë konflikti në Siri, problemi i Lindjes së Mesme, kriza në Libi, vërshimi i refugjatëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar, të cilat kërcënojnë stabilitetin në nivel rajonal.

Duke marrë parasysh gjendjen konkrete, Ministri i Jashtëm Grek z. Nikos Kotzias, i është referuar në mënyrë të përsëritur nevojës urgjente për krijimin e një arkitekture të re mbi sigurinë në rajonin e Mesdheut juglindor.

Kështu që Konferenca e dytë e Rodos duhet interpretuar edhe si një përpjekje për krijimin e një strukture paraprake, në të cilën shtetet europiane dhe arabe do të mund të konsultohen mbi mundësinë e krijimit të një institucioni – në shembullin e OSBE – i cili do të trajtojë çështje që i takojnë një qasjeje të përgjithshme të nocionit “siguri”, duke mbuluar në këtë mënyrë, rajonin më të gjerë të Mesdheut juglindor.

Konferenca e Rodos për Sigurinë dhe Stabilitetin përfshihet në 12 nisma ndërkombëtare që Greqia po ndërmerr gjatë kësaj periudhe. Midis aktiviteteve konkrete, përfshihet Konferenca e Athinës për Pluralizmin Fetar në Lindjen e Mesme, Forumi i Qytetërimeve të Lashta, formatet tripalëshe të bashkëpunimit të Greqisë me Qipron e Libanin, Jordaninë, Palestinën, Izraelin dhe Egjiptin, Samiti Katërpalësh i Selanikut për Bashkëpunimin Ndërballkanik, Masat e Ndërtimit të Bashkëpunimit me IRJM, si edhe koordinimi i katër shteteve ballkanike që janë edhe anëtare të BE-së.

Në Konferencë do të marrë pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, znj.Odeta Barbullushi, ndërsa në Konferencën e vjetshme kishte marrë pjesë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë z. Ditmir Bushati.