Transmetuar më 19-05-2017, 12:27

Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, kanë përshëndetur sot marrëveshjen politike të arritur mes Kryeministrit Rama dhe kryedemokratit Basha. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, dy zyrtarët europianë kanë thënë se politikanët iu përgjigjën pritshmërive të qytetarëve shqiptarëve.

“Përgëzojmë partitë politike në Shqipëri për marrëveshjen e arritur, që do të çojë në mbajtjen e zgjedhjeve në 25 qershor 2017 me pjesëmarrjen e të gjitha partive. Udhëheqësit politikë u janë përgjigjur pritshmërive të qytetarëve të tyre dhe treguan pjekuri demokratike”, lexohet në deklaratë”, thuhet në deklaratë.

Mogherini dhe Hahn ndajnë bindjen se ky është një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve me standarde, ndërsa ripërsërisin domosdoshmërinë e ligjit të vetting-ut si kushti kryesor për hapjen e negociatave.

“Ky ishte një hap i parë thelbësor. Tani, kjo marrëveshje duhet të implementohet për të përgatitur zgjedhje me standarde ndërkombëtare. Duke qenë se vota në Parlament për ngritjen e organeve të vetting-ut është pjesë e marrëveshjes, ne përsërisim rëndësinë e një implementimi solid dhe të besueshëm të procesit të vetting-ut, që është kyç për progresin drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të popullit të saj për një të ardhme më të mirë”, shtohet në deklaratën e përbashkët të Mogherini dhe Hahn. /k.k/noa.al/