Transmetuar më 18-05-2017, 18:42

Kryeministri Edi Rama përshëndeti gjithë mbështetësit e Partisë Socialiste në mitingun e mbajtur pranë Piramidës në Tiranë, ku ishte parashikuar çelja e fushatës elektorale.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se më bukur se në vend që të çelej sot fushata elektorale, është të brohoritet për realizimin e objektivit strategjik për një Shqipëri me shtet, me punë dhe mirëqenie, për vettingun që do votohet përpara fillimit të fushatës elektorale.

“Të jeni të bindur se me të njëjtin vullnet, me të njëjtën këmbëngulje dhe me të njëjtën kokëfortësi që ne luftuam dhe fituam për vettingun, do luftojmë e punojmë për të rritur punësimin dhe mirëqenien”, u shpreh Rama.

Ai u tha të pranishmëve “ne kur themi duam dhe do bëjmë shtet, ne e themi dhe e bëjmë”.

Rama deklaroi se zgjedhjet nuk janë lojë e partive, por se u shtynë me një javë për në 25 qershor, brenda Kushtetutës dhe ligjit, për të fituar betejën për një Shqipëri, ku gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar se ditët e tyre në sistemin e drejtësisë janë tanimë të numëruara.

Sipas tij, vettingu tanimë nuk ka ku të shkojë dhe se rruga e tejzgjatur e padrejtësisë nuk do të vazhdojë.

Kreu i qeverisë shtoi më tej se PS nuk e ka fshehur, se Partinë Demokratike, pavarësisht se çfarë u thuhej, e donte në fushën e betejës.

“Ne e kemi thënë se do shkojmë qoftë dhe të vetëm në zgjedhje, por dëshirojmë që PD të jetë në fushën e betejës dhe ne të fitojmë edhe më shumë se sa katër vjet më parë. Dhe për më tepër jo vetëm do fitojmë, por si asnjëherë në histori opozita do ketë mundësinë të shikojë nga brenda gjithë ecurinë e këtyre 37 ditëve dhe do jetë e detyruar të pranojë fitoren e sigurtë”, deklaroi Edi Rama.

Ai deklaroi se një gjë duhet të jetë shumë e qartë, në 25 qershor do fitojë PS, por tha se sot ka fituar gjithë Shqipëria, ndërsa sot kanë fituar socialistët e demokratët.

Rama bëri me dije se fushata do të nisë me një javë vonesë, duke thënë se edhe për demokratët u hapë një rrugë e re, rruga e betejës demokratike.

Ai u bëri thirrje mbështetësve të PS që të mos thërrasin "Partia Socialiste dhe Edi Rama, por të thërritet ‘Shqipëri’, ‘Shqipëri'".

Lidhur me Kavajën ai tha se do të ketë dy gëzime në një ditë më 25 qershor, ku përveç zgjedhjeve të përgjithshme do të votohet edhe për kryebashkiakun. /a.y/noa.al