Transmetuar më 17-05-2017, 09:34

Babai i 15-vjeçares që ndërroi jetë në sallën e operacionit gjatë një ndërhyrjeje në gju fajëson mjekët e spitalit privat “Continental” për vdekjen e së bijës. Ai tregon se stafi mjekësor i kishte dhënë garanci të plotë se operacioni nuk kishte asnjë rrezik, por në fund gjithçka rezultoi fatale.

Bardhyl Pepa tregon se për dy orë mjekët nuk e kishin njoftuar se e bija kishte vdekur. Pavarësisht interesimit të tij e të familjarëve, askush nuk i tregonte asgjë, derisa është futur vetë në sallën e operacionit dhe ka mësuar të vërtetën.

“Pasi na u sos durimi jemi futur vetë në sallë, pa pyetur askënd. Aty pastaj u përballëm me të vërtetën. Vajzës i kishin vendosur aparatura dhe i bënin pompim në gjoks derisa na thanë se vajza kishte mbaruar”, tregon ai për “panorama”.

Nga ana tjetër, i ati 15-vjeçares shprehet se nuk ishte dakord që operacioni të bëhej aq vonë, por mjekët i kishin thënë se nuk kishte asnjë problem dhe se gjithçka do të shkonte mirë.

“Na kishin thënë që operacioni do të bëhej në orën 10:00 të mëngjesit. Kemi shkuar aty dy orë më përpara. Jo tani, jo më vonë, dhe në fund u vendos që të bëhej në mbrëmje. U thamë mjekëve që ta shtynin për një ditë, por ata na thanë që nuk kishte asnjë problem”, shprehet ai.

Si e morët lajmin që vajza juaj nuk e kishte përballuar operacionin?

Nuk po na tregonte askush se çfarë kishte ndodhur. Operacioni kishte dy orë që kishte mbaruar. Në fillim na thanë se gjithçka shkoi me sukses dhe tani vetëm duhej të prisnim që t’i dilte narkoza. Pritëm gjatë aty dhe nuk po merrnim vesh më se çfarë po ndodhte. Shikonim mjekë që hynin e dilnin dhe askush nuk tregonte asgjë. I pyesnim se çfarë ka ndodhur dhe na thoshin se nuk kishte asgjë, po merreshin me një pacient tjetër. Por në sallë ishte vetëm vajza ime, nuk kishte pacient tjetër në atë orë. Pasi na u sos durimi jemi futur vetë në sallë, pa pyetur askënd. Aty pastaj u përballëm me të vërtetën. Vajzës i kishin vendosur aparatura dhe i bënin pompim në gjoks, derisa na thanë se vajza kishte mbaruar.

Para se të niste operacioni, ju kishin lajmëruar për ndonjë rrezik të mundshëm?

Absolutisht asgjë! Na thanë se gjithçka do të shkonte shumë mirë dhe se nuk kishte asnjë rrezik. Duam që të vendoset drejtësi dhe të zbardhet sa më parë ajo që i ndodhi vajzës sime. E kishim dorëzuar aty të gjithë kartelën mjekësore të vajzës, të gjitha analizat. U kisha thënë që vajza kishte edhe një lloj alergjie, por më thanë se nuk kishte asnjë problem, pasi janë të përgatitur për çdo lloj situate. Kur ishin të përgatitur, si ka mundësi që më vdiq vajza?

Vajza është futur në sallë rreth orës 19:00. Pse u vendos që operacioni të kryhej në atë orë?

Nuk e dimë këtë. As ne nuk na dukej normale. Na kishin thënë që operacioni do të bëhej në orën 10:00 të mëngjesit. Kemi shkuar aty dy orë më përpara. Jo tani, jo më vonë, dhe në fund u vendos që të bëhej në mbrëmje. U thamë mjekëve që ta shtynin për një ditë tjetër, pasi priste puna, nuk ishte e nevojshme që të bëhej aq vonë ndërhyrja, por ata na thanë që nuk kishte asnjë problem. Mjeku që do të kryente operacionin ishte një kirurg gjerman dhe sipas tyre gjithçka do të shkonte mirë, por në fakt me keq nuk kishte ku të shkonte.

Çfarë problemi shëndetësor kishte vajza juaj?

Vajza kishte vrarë këmbën në shkollë, gjatë orës së fizkulturës. Kishte gati 3 javë, diçka më pak që e kishte dëmtuar këmbën e djathtë. E dërguam në spital, në shtet fillimisht. I bëmë grafinë e gjurit, edhe rezonancën. Rezultoi që kishte këputur ligamentin e gjurit dhe kishte dëmtim të meniskun. Për këtë arsye duhej të operohej. Duke qenë se në shtet, me sa duket nuk kishte aparaturat e nevojshme për kryerjen e një operacioni të tillë, na sugjeruan që ta bënin ndërhyrjen te spitali “Continenal”, pasi aty ishte një mjek ortoped i njohur gjerman. Paguam paratë, gjysmën, pasi pjesën tjetër e lamë që ta paguanim më vonë, kurse operacioni kushtonte 3500 euro. U llogarit si dy ndërhyrje të veçanta, pasi do të operohej ligamenti dhe menisku.

Vdekja e Blerta Pepës. Sali Berisha: Ngushëllime familjarëve, të sqarohen përgjegjësitë

Fjalët përlotëse të Aurela Gaçes për vajzën që humbi jetën gjatë operacionit

Spitali “Continental” reagon zyrtarisht mbi ngjarjen ku vdiq e mitura Blerta Pepa

Tritan Shehu për mjekun e spitalit Continental: Tentoi vetëflijimin dhe është mes jetës e vdekjes, të mos denigrohet

Daja i Blertës që vdiq te “Continental” i shkruan Edi Ramës: Duam drejtësi

I vdiq motra gjatë operimit në spitalin privat, vëllai i Blertës: Më iku drita e syve, pse o Zot

Ky është mjeku që tentoi të vrasë veten, pasi i vdiq pacientja te spitali “Continental”

Vajza që vdiq te spitali “Continental”, konkurroi tek “Gjeniu i vogël”, daja: E vrau babëzia e eurove

Vajza 15 vjeçe gjen vdekjen gjatë operimit tek spitali “Continental”, anestezisti tenton vetëvrasjen