Transmetuar më 13-05-2017, 23:10

Nga Kastriot Myftaraj

I nderuar Komisioner Hahn!

E ndjej detyrim t’ u shkruaj pasi u bëra shkak që të përziheni në një fake cause sorosiane, mbrojtja e përfaqësueses së BE në Shqipëri, dhe që e ka prejardhjen te një fake news i disa muajve më parë, kërcënimi ndaj jetës së kësaj zonje. Që ishte një fake news sorosian. Nuk mund të kuptohen fake news, si koncept, pa anën tjetër të medaljes së tyre, fake cause. Sepse fake news fabrikohen për të përgatitur fake cause. Unë jam thellësisht i vetëdijshëm se vendi im, Shqipëria, për arsye që mund të përmblidhen në frazën- pasojat traumatike që i kanë lënë shoqërisë sonë rrethanat historike- do të jetë e papërgatitur për t’ u anëtarësuar në Bashkimin Europian edhe në të ardhmen e largët. Unë e di se, pak a shumë, e njëjta gjë vlen edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Unë jam i vetëdijshëm se BE, jo për fajin e vet, e sheh vendin tim si një problem që duhet minimizuar, duke u mbajtur jashtë oborrit. Por unë mendoj edhe se ky realitet nuk duhet të na bëjë ne shqiptarët që ta projektojmë fajin te BE, t’ i krijojmë dhe ushqejmë vetvetes një armiqësi ndaj BE. Ne jemi europianë gjithsesi, megjithë deformimet që pësuam në identitetin dhe karakterin tonë nga shtypja prej Rrotës së Historisë. Unë jam thellësisht i shqetësuar jo për mungesën e së ardhmes së vendit tim në BE, por për mënyrën që ka zgjedhur BE për të minimizuar problemin që paraqet për të vendi im, dhe më gjerë Ballkani Perëndimor. Midis BE dhe Ballkanit Perëndimor ka një vijë të kuqe, kjo tashmë është e qartë. Do të thotë edhe se midis BE dhe vendit tim ka një vijë të kuqe, të pakapërcyeshme. Unë e pranoj këtë realitet, por me kusht që BE të pranojë edhe vijën e kuqe historike të vetëmbrojtjes së vendit tim. Gjatë historisë pak më tepër se njëshekullore të shtetit shqiptar janë bërë disa herë përpjekje për ta bashkuar vendin tim me Jugosllavinë Mbretërore dhe më pas atë komuniste. (Serbinë më herët) Shumë gjak është derdhur në Shqipëri që të shmanget kjo gjë. Unë sot shikoj me shqetësim shumë të madh se është përpunuar dhe kërkohet të zbatohet një projekt i ri jugosllav, i emërtuar me një eufemizëm si bashkimi i përkohshëm i Ballkanit Perëndimor, si fazë e ndërmjetme para anëtarësimit në BE. Por Ballkan Perëndimor i bashkuar do të thotë asgjë më pak se Jugosllavia e dikurshme me republikat dhe krahinat e saj, minus Sllovenia dhe Kroacia, plus Shqipëria. Do të thotë që rreth gjashtë milionë shqiptarë të bashkohen me 13 milionë sllavë, nga të cilët 8.5 milionë serbë. Një rrethanë shumë e pafavorshme për vendin dhe kombin tim. Ju z. Hahn, në 27 prill 2017 keni pasur një takim me George Soros, pas të cilit keni thënë në adresën tuaj zyrtare në Twitter: “Always good to meet George Soros to discuss our joint efforts to boost reforms & open societies in the Western Balkans and Eastern Europe.” Unë e di dhe mund të sjell fakte se ideja e Soros për shoqërinë e hapur në Ballkanin Perëndimor është bashkimi i Ballkanit Perëndimor në Jugosllavinë e Re. Në takimin me ju Soros shoqërohej nga një person shumë interesant, Gordana Vuco, e njohur si Beka Vuco, një serbe e cila që nga viti 1991 është njeriu kryesor i Sorosit për ish-Jugosllavinë. Sot kjo Vuco është drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në zyrën qendrore të Sorosit në Europë, që është Open Society Initiative for Europe (OSIE), me qendër në Barcelonë. Në krye të OSIE është një maqedon, Goran Buldioski. Personi-kyç për financat është një serbe, Tanja Gjorgjeviç. Një tjetër person kyç është serbja Masha Gjorgjeviç, menaxherja e programit të mbështetjes për think tank-et në Ballkanin Perëndimor. E gjithë kjo tregon se vëmendja e Soros në Europë tashmë është e përqëndruar në Ballkanin Perëndimor si i vetmi regjion ku ai mund të arrijë të bëjë diçka të madhe dhe kjo diçka është Jugosllavia e Re. Këtu e ka prejardhjen edhe animoziteti im ndaj përfaqësueses së BE në Shqipëri, që shkaktoi edhe reagimin tuaj. Unë z. Hahn nuk bëra gjë tjetër veçse përdora atë metodë të analizës me skenare që përdori CNN në janar kur para se Trump të hynte në Shtëpinë e Bardhë, bëri prognozën e famshme se çfarë do të ndodhte nëse vritej Trump. Veprimtaria e përfaqësueses suaj në Shqipëri është bërë aq alarmuese, në kuptimin që thashë më lart, sa i duhej tërhequr vëmendja me një analizë të këtij lloji. Logjika e thjeshtë më thotë se BE nuk do të heshtte ndaj shndërrimit të Shqipërisë në një plantacion gjigand droge pas vitit 2013, nëse ky nuk do të ishte shpërblimi për Kryeministrin Rama dhe establishmentin e tij, për rolin e tij në “integrimin” e Shqipërisë në Jugosllavinë e Re që po përgatitet me partneritetin Rama-Vuçiç. Prandaj përpjekja e sorosianëve shqiptarë në qeveri dhe jashtë saj, për të më paraqitur mua si kërcënues të përfaqësueses së BE, që ka nevojë për mbështetje publike, është një fake cause sorosiane. Në punën time të përditshme, gjëja që kujdesem më së shumti për ta shmangur është që të bëhem i paparashikueshëm për njerëzit që nuk duhet të më keqkuptojnë. Në Shqipëri z. Hahn nuk do të vritet asnjë diplomat BE deri ditën kur do të shpallë Jugosllavinë e Re në Tiranë. Mbijetesa e shtetit shqiptar është siguruar edhe sepse gjatë historisë pak më tepër se njëshekullore të tij, këtu ka pasur gjithmonë një forcë alternative me ato shtetërore që ka ndaluar një kthesë të tillë të kursit të vendit. Edhe diçka të fundit z. Hahn, megjithëse nuk besoj se vendi im do të pranohet si anëtar i BE, do t’ iu sugjeroja që të dërgoni këtu si përfaqësues të BE diplomatë seriozë, si në të kaluarën. Sepse me përfaqësimin e BE në vendin tim me këtë zonjën që është sot, çdo shqiptar mendon se BE luan një komedi në Shqipëri. Dhe ju lutem mos prisni që ne shqiptarët ta respektojmë më shumë se në vendin e saj që ka standard etik më të lartë se ne meqënëse është tashmë anëtar i BE.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al