Transmetuar më 13-05-2017, 16:30

Nga Afrim Krasniqi

Kur një gazetar e pyeti Nelson Mandelën se si duhet gjykuar një konflikt politik i kohës në Johanesburg, Mandela iu përgjigj: “kam një recetë të jashtëzakonshme. I mbyll sytë dhe e imagjoj veten time 30 ose 40 vjet më vonë, kur asnjë prej nesh nuk është i njëjtë si sot. E paraftyroj sesi do ia tregoj 30 apo 40 vjet më vonë fëmijës apo nipit e mbesës dhe pastaj hap sytë, kthehem në kohë dhe jap të njëjtin gjykim”. Imagjinoni si do ta kujtojmë krizën e sotme politike pas 30-40 vitesh, kur asnjë nga protagonistët e sotëm nuk do jetë më në politikë dhe as në vendimmarrje.

Atëherë do u themi nipërve e mbesave: u zunë ata të dy ose të tre, njeri donte ta ruante me cdo kusht pushtetin, tjetri donte ta merrte me cdo kusht pushtetin. U zunë aq keq sa vendi e pësoi, humbëm vite të kota me krizë dhe askush nuk mbajti përgjegjësi. As mbesa dhe as nipi nuk do të arrijnë ta kuptojnë arsyen pse u zunë dhe as përfitimin që patëm, as sjelljen tonë pasive që i lejuam të tallen me ne. E njëjta vlen sot edhe nëse e mendojmë 1997 apo 2011, krizat për certefikatat apo krizat për kryetarin e qarkut Fier, krizat për hapjen e kutive apo krizën për dekriminalizimin. Si u themi sot fëmijëve? U themi se më 1997 gabuam, më 1998 gabuam, më 2001 gabuam, më 2007 gabuam, më 2009 gabuam, më 2011 gabuam, dhe me siguri, pas 30 vitesh do tu themi se më 2017 gabuam.

Imagjinoni militantët e sotëm të së majtës e të djathtës si do ndjehen pas 20 apo 30 vitesh. Ata të majtët do thonë, – kot nuk gjetëm një zgjidhje atëherë e nuk menduam me arsye dhe gjërat do ishin më ndryshe. Ata të djathtët do thonë, kot kërkuam më shumë sesa duhej atëherë sepse nëse tregonimn arsye atëherë gjërat do të ishin ndryshe. Ata që sot na denigrojnë, etiketojnë, kërcënojnë dhe fyejnë kur u bëjmë ndonjë kritikë për shefin e tyre, për partinë e tyre, pas ca vitesh do pengohen, – por do jetë vonë, shumë vonë. Sic janë penguar për gjithcka ndodhi në mënyrë të gabuar në tranzicion. Sepse militantët janë turma, pa mendim, ecin pas liderit dhe e shohin atë si Zot, janë të paaftë të mendojnë tej vetes dhe partisë, janë të paaftë të konkurrojnë me CV dhe aftësi, janë të paduruar për të fituar gjithcka e brenda një kohe sa më të shkurtër, janë egoistë dhe duan gjithcka për vete, janë hakmarrës dhe përdorin pushtetin për të denigruar mendimin kritik, nuk kanë sens mase, sens reflektimi dhe as sens përgjegjësie. Atdheu, vendi, kombi e gjithcka tjetër nis e mbaron tek xhepi i tyre, tesera e tyre, interesi i tyre, lideri i tyre.

Në kohë të tilla cmendine kolektive duhet thirrur arsyeja, edhe kur ajo është pakicë, edhe kur refuzohet e denigrohet, edhe kur sjell kërcënime dhe ka një cmim të lartë për personat që refuzojnë turmat pa arsye dhe ndjekin me ndergjegje rrugën e tyre.

Dhe arsyeja na lejon ta këshillojmë PS-në: jeni shumicë, jeni në pushtet, jeni të paprekshëm, jeni dominues, keni premtuar të silleni ndryshe, keni premtuar ta ndryshoni sistemin e mendimit dhe drejtimit, merrni shembull nga Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe ofroni zgjidhje të qëndrueshme dhe të besueshme pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për një post 3 mujor apo për ca poste disa javore. Rilindas nuk te ben mjekra dhe as batutat mediatike, por te ben formimi, virtyti, vizioni dhe aftesia te mendosh pertej gjerave dhe interesit te ngushte te dites.

Arsyeja na lejon ta këshillojmë PD-në: u krijuat si partia simbol i lirive, integrimit dhe vlerave demokratike, ndaj në asnjë rrethana e për asnjë interes afatshkurtër nuk mund t’i kundërviheni lirisë së atyre që mendojnë ndryshe nga ju, miqve e aleatëve perëndimore dhe rregullave demokratike. Ju keni premtuar republikë të re por po silleni si në kohët pararepublikane, në emër të një axhende të pavotuar po rrezikoni gjithcka, – merrni shembull nga rajoni dhe ofroni zgjidhje të arsyeshme, pranoni zgjidhje konsensuale të arsyeshme, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për ca përfitime ekzekutive 3 mujore apo për ca militantë më pak në cadrën tuaj. Demokrat nuk te ben tesera, posti dhe as flamuri partiak, por aftesia te mendosh i lire, me dinjitet, me kuraje, me sens kushtetues, me vizion dhe me respekt ndaj Tjetrit.

Ka disa opsione për zgjidhje. Nuk janë ideale, nuk janë optimale, por secili prej tyre është më i mirë sesa opsioni që sot na ka ofruar qoftë PS dhe qoftë PD. Zgjidhni një prej tyre dhe nëse nuk jeni të aftë të zgjidhni, pranoni një paketë të tillë ndërkombëtare, duke ulur kokën e dëshmuar sa të paaftë e jo vizionarë jeni si liderë politikë, pavarësisht luksit tuaj, fjalimeve tuaja, turmave tuaja, pasurisë tuaj, pushtetit tuaj. Politika nuk është shah dhe as bast, nuk është shantazh dhe as ultimatum, – është vlerë, shërbim, përgjegjësi, vizion dhe vetkontroll. Ndaj rimendojeni faktin se fatmiresisht nuk jeni te perjetshem! Ndaj kursejini fjalimet, sharjet, mitingjet, antimitingjet, fushatat denigruese dhe mendoni qoftë edhe 5 minuta për Shqipërinë pa ju, shtetin pa ju, politikën pa ju, qytetarët pa ju, partitë pa ju, të ardhmen pa ju. Mund tju pëlqejë, sepse kam bindjen se është më e bukur, më e qetë, më normale, më dinjitoze, më evropiane, më e hapur, më demokratike.

Me siguri kështu do tju këshillonin nipat e mbesat tuaja pas 30-40 vitesh. Atëherë me siguri do të pendoheni që nuk i dëgjuat, por do jetë vonë, shumë vonë, dhe ndërkohë të gjithë ne si shtet e shoqëri, përfshirë pasardhësit tuaj, por me përjashtimin tuaj personal, do të kenë paguar një cmim të lartë në kohë, në energji, në orientim, në imazh dhe në kriza permanente.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al