Transmetuar më 07-05-2017, 16:57

Këto katër vite ajo ka qenë deputetja me e re në parlament. Tashmë 24 vjeç, Kejdi Mehmetaj e partisë Lëvizja Socialiste për Integrime synon mandatin e radhës. E dyta në listën e Tiranës, pas Klajda Gjoshës, Kejdi vjen me një eksperiencë katërvjeçare në jetën parlamentare. Shpeshherë e përkëdhelur nga statusi e deputetes më të re, por shumë më shumë e paragjykuar, ajo arriti të krijojë individualitetin e vet në këtë legjislaturë duke u bërë shpesh protagoniste në mbrojtje të të drejtave të studentëve dhe maturantëve.

Ajo ka përfunduar studimet për Inxhinieri Ndërtimi dhe beson se një ditë do të ushtrojë profesionin për të cilin është shkolluar

Në këtë intervistë për Dita-n Mehmetaj rrëfen synimet e saj dhe forcës politike që ajo përfaqëson në katër vitet e ardhshme.

-Kejdi, ishe vetëm 20 vjeç kur hyre në sallën e parlamentit, si ka qenë për ty kjo legjislaturë, çfarë do të mbash mend?

Nga ana personale ka qenë një eksperiencë që shumë rrallë mund t’i ndodhë një të riu të moshës time dhe një nga ato eksperienca që të mëson shumë dhe të bënë që të shohësh realitetin në një këndvështrim ndryshe. M’u dha mundësia të jem përfaqësuesja e një grupi shumë të madh të shoqërisë shqiptare që janë të rinjtë. Nuk e di se sa shumë mirë, mirë apo relativisht mirë mund ta kem bërë këtë punë, megjithatë di që jam përpjekur shumë. Jam përpjekur mbi të gjitha të jap modelin e një njeriu që është në politikë për të folur aty për çështje dhe për tema që përbëjnë interes dhe jo të një njeriu që për shkak se krijon konflikt me një personalitet politike del në lajme dhe fiton një titull gazete apo merr një ftesë emisioni në televizion.

Jam përpjekur që ta karakterizoj veten me disa kauza që i kam parë jo vetëm pranë moshës sime, por edhe me interes qytetar, siç mund të jenë çështjet e arsimit sepse është një kauzë të cilën unë realisht e besoj. Unë mendoj që bazat e një shoqërie të emancipuar dhe të zhvilluar vijnë pikërisht nga sistemi arsimor, pasi kështu rriten brezat. Punësimi, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, janë disa tema të tjera në të cilat unë jam investuar.

Ndër të tjera kam qenë edhe iniciatore e dy ligjeve, siç është ligji i vullnetarizmit, të cilin e kam hartuar vetë së bashku me vajza dhe djem të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kuptohet edhe një grup ekspertësh, pasi sado ide mund të kemi, ligjin e bëjnë profesionistët. Ligji i dytë ka qenë për rolin e parlamentit në proceset integruese, kuptohet këtu ka qenë një bashkëpunim mes të tre palëve, PS-së, PD-së dhe LSI-së. Megjithatë unë ndihem mirë sepse e di që në këto katër vite jam përpjekur që të lë një gjurmë dhe të jap një model ndryshe.

Ndërsa sa i takon pjesës së parlamentit në përgjithësi, them që, ky mund të ishte parlamenti ku nuk do të kishte dashur asnjë njeri, as unë, që të isha pjesë. Ky parlament i ka ofruar Shqipërisë vetëm dy gjëra; e para një retorik konfliktuale, ku njëra palë, mazhoranca në këtë rast edhe pse katër vite në qeverisje, merret akoma me çfarë bëri keq qeveria e kaluar, ndërsa pala tjetër, në gjysmën e kohës ose ishte në bojkot ose ishte duke kërkuar diçka që nuk funksiononte.

Arsyeja e dytë është se ky parlament më shumë se gjithë të tjerët ofron modelin e të fortit në politik, e njeriut që bëhet pjesë e institucioneve më të larta vetëm se ka një të shkuar kriminale, vetëm se ka një sasi të caktuar parash apo di të jetë i fort dhe të bëj presione të natyrave të ndryshme. Ky është ai model që ne duhet të largojmë nga politika.

-Ke shpresa që në këtë herë ky parlament do të jetë ndryshe nga kjo panoramë që na solle?

Kam shpresa! Shpresa e parë është që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, pasi sinqerisht po më duket shumë e vuajtur kjo periudhë kohe kur ne nuk po arrijmë dot t’i sigurojmë vendit A-në e demokracisë që janë zgjedhjet e lira.

Për mendimin tim, zgjedhje pa opozitën, zgjedhje farsë, për t’i bërë qejfin vetes tonë, por nga ana tjetër, presion për të mos bërë zgjedhje, të gjitha këto nuk përbëjnë një proces zgjedhor normal. Ajo që unë po shpresoj dhe po punojmë që të ndodh tani është që të kemi zgjedhje të cilat janë të gjithëpranuara, ku marrin pjesë të gjitha palët dhe mbi të gjitha, zgjedhje që kur përfundojnë, nuk kanë nevojë të ribëhen as të mos jenë të diskutuara, por të jenë me rezultat të pranuar dhe me një punë që vazhdon.

Me listat që kam parë deri më tani duket që ka një ndryshim për mirë. E para që më ka rënë në sy edhe më ka pëlqyer shumë, të paktën përveçse LSI-së edhe PS që tashmë i ka dorëzuar listat, është pjesëmarrja e grave dhe e vajzave si pjesë integrale dhe përbërëse e këtyre listave, duke qenë të pozicionuara në vende shumë të mira, që do të thotë do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm. Kjo, jam e sigurt që do t’i zbus disi tonet dhe do e bëjë parlamentin të flas edhe më shumë për çështje të caktuara.

-Por, a mjafton të jesh vajzë apo grua për t’u futur në parlament?

Jo, por ajo që unë kam parë është se këto janë vajza dhe gra me integritet të lartë, profesioniste të zonjat dhe do sjellin në parlament diskutime për çështje të caktuara e jo vetëm retorika boshe.

-Kam parë që ti ke qenë një nga zërat shpeshherë kundërshtues ndaj reformave që janë bërë në arsim në këto katër vite, por nga ana tjetër, di që zëvendësministrja e këtij institucioni, Norma Malaj vjen nga partia juaj, ajo madje është marrë ekskluzivisht edhe me maturën shtetërore, a nuk të duket pak pa sens kjo kundërvënia, ku shumë çështje mund t’ia kërkonit zonjës Malaj?

Unë ka një parim timin personal, që të mos bëhem e vogël, në kuptimin që, për një çështje që ka rëndësi madhore, të tërhiqem apo të mos flas sepse njerëzit që punojnë me këtë çështje kanë një lidhje me mua, siç mund të jenë partiake apo të një forme tjetër.

Më besoni që, për çdo gjë që kemi folur publikisht ne e kemi diskutuar edhe jo publikisht, e kemi thënë edhe në tryezat tona, ia kemi thënë edhe Norës nëse ajo ka patur një përgjegjësi për një çështje, por ama duhet të kuptojmë edhe se si funksionon administrata shtetërore dhe të dimë që zëvendësministrja ka aq kompetenca sa i lë ministrja.

-Nga ana tjetër, katër ditë më parë Petrit Vasili është zgjedhur kryetar i LSI. Mendon se mungesa e Metës do të ndikojë në rezultat e zgjedhjeve?

Në fjalën e tij në Konventë, ku ne zgjodhëm Petrit Vasilin si kryetar të LSI-së, Presidenti tashmë i zgjedhur Ilir Meta tha një fjali që unë dua ta përsëris, e cila ishte që, LSI-ja nuk është një person, por është forca e të gjithë njerëzve që besojnë në të. LSI ka një mënyrë të të funksionuari ku secili është i qartë për punën që duhet të bëj, që nga anëtari në bazë deri te nivelet më të larta të saj dhe ku mënyra se si ne e mendojmë punën është në ekip, duke patur role të qarta, por edhe me filozofin që, në punën e tij secili është kryetar.

Kështu që në gjykimin tim, me Ilir Metën apo pa Ilir Metën Lëvizje Socialiste për Integrim do të shoh vetëm rritje dhe unë personalisht nuk kam asnjë dyshim që ne do të jemi forcë e parë në këtë zgjedhje.

-E ku e bazon këtë bindje?

Ne jemi çdo ditë në terren dhe ne shohim se besimi dita-ditës shtohet. Unë nuk di t’ju them ju se sa qindra vetë takoj në ditë që mua më thonë se ne besojmë te LSI dhe te qetësia që kjo parti mendon se duhet të këtë Shqipëria. Arsyeja e dytë është se ne kemi një kauzë që nuk e ka parti tjetër në Shqipëri që është kauza e të rinjve, si një model ndryshe, jo vetëm në politik, por si një energji së cilës i duhet dhenë forcë për t’u përkthyer në pozitivitet për vendin. Dhe e treta, unë jam inxhiniere në profesion, pëlqej numrat dhe në logjikën e numrave LSI ka treguar se ka një kurbë rritëse, ndaj duke parë këtë progres më bën të besojë që do jemi forcë e parë në këto zgjedhje.

-Si e shikon pozicionin e LSI pas zgjedhjeve të 18 qershorit?

Për aq kohë sa ne themi se do të jemi forcë e parë kuptohet që do të kemi liderët tanë, drejtuesit tanë për t’u propozuar në pozicione të ndryshme duke zbatuar kështu edhe programin tonë. Shtyllat kryesore të programit tonë janë edukimi dhe punësimi dhe gjithçka më pas është e zhvilluar në nën sektor, po ashtu edhe gjithë degët e tjera që përbëjnë një qeverisje siç mund të jetë shëndetësia e kështu me radhë dhe do jemi në zbatim të këtij programi. Për ne e rëndësishme në këto momente është që të shkojmë në një proces zgjedhor i cili do të jetë i pranuar edhe me standarde.

-Si të duket reagimi i opozitës, sjellja e saj?

Më duket një mungesë tolerance e theksuar nga të dyja palët. Ndër të tjera unë mendoj që oferta që u bë me ndërmjetësimin e Partive Popullore Europiane, nuk mund të them që ishte e mirë, por lë të themi që ofronte shumë mundësi për besim për ato çështje që opozita ka ngritur gjatë gjithë kohës. Sinqerisht, nuk e kuptoj kokëfortësinë as të njërës palë as të palës tjetër. E vetmja gjë që shoh është frika për humbje të zgjedhjeve nga njëri krah dhe nga krahu tjetër shoh frikën nëse do të dalim të parët apo jo.

-Nuk ndjen përgjegjësi LSI për këtë krizë politike?

Për aq kohë sa ne si LSI ishim të parët që thamë që jemi të gatshëm për të dorëzuar mandatet tona politike në funksion të zgjidhjes së krizës, për aq kohë sa edhe ne vetë kemi artikuluar një pjesë të problemeve që ngre edhe opozita do të thotë që edhe ne e ndjejmë veten përgjegjës, por ajo që ka ndodhur është se LSI e ka parë veten edhe si zgjedhëse të situatës.