Transmetuar më 01-05-2017, 17:10

Situata në Partinë Demokratike nuk është aspak e qetë, sidomos pas përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe pas vendimit për bojkot.

Kryetarit të PD, Lulzim Basha, i janë kthyer kundër tre deputetë të vetët.

E para ishte Majlinda Bregu, e cila kërkoi që PD të marrë pjesë në zgjedhje, duke kujtuar edhe negociatat me ndërkombëtarët për të cilat tha sot se, ka heshtur këto kohë publikisht dhe është përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmojë PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t’i bind miqtë e PPE të na vijnë sërish në ndihmë.

“Sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten”, shkroi ajo në Facebook.

Pas saj, ka reaguar dhe deputeti Eduard Selami, i cili duke folur për ‘Zërin e Amerikës’, thotë se, Basha e përdori çadrën e protestës për të anashkaluar institucionet.

“Kam vënë re që zoti Basha e përdori çadrën jo më për një protestë paqësore por fatkeqësisht, me një retorikë populiste dhe me një gjuhë të papërshtatshme e përdori për të anashkaluar institucionet dhe me keq akoma, për të bojkotuar Parlamentin në një moment shumë të rëndësishëm siç është reforma në drejtësi që është e lidhur me rrugën integruese të Shqipërisë në Europë. Dhe më tej akoma në një retorikë të paprecedentë për të bllokuar dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike”, tha Selami.

Deputeti demokrat deklaron se mospjesmarrja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 18 qershorit do të ishte një gabim i rëndë historik, jo vetëm për këtë forcë politike por dhe për vendin.

Selami flet me tone kritike ndaj qëndrimeve të kryetarit të opozitës Lulzim Basha, duke u ndalur në javën e shkuar, kur përpjekjet e përfaqësuesve të parlamentit europian për të ndërmjetësuar daljen nga kriza, dështuan. Për Selamin, ky ishte një shans i humbur. Ai është i mendimit se ekzistojnë ende hapësira të vogla për zgjidhje dhe se këto hapësira duhet të shfrytëzohen nga kryetari Basha.

Ai bën me dije se në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar kryetarit të partisë të mbledhë Këshillin Kombëtar si organi më i lartë politik, i cili përcakton vijën politike të PD.

“Dhe në statutin e PD, është në mënyrë të detyruar që duhet të mblidhet një herë në 6 muaj, pra dy herë në vit. Ka tre vjet që nuk është mbledhur asnjëherë. Pra si të thuash, ka një pengmarrje të strukturave të partisë nga zoti Basha, në kundërshtim me ato premtime që bëri kur u zgjodh kryetar, premtime personale që m’i ka bërë dhe mua, por dhe të gjithë demokratëve”, thotë Selami.

Ndërkohë Jozefina Topalli është kontaktuar në media të ndryshme në vend, duke kërkuar qëndrimin e saj lidhur me vendimin e PD për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Ajo ka thënë se ka kërkuar prej kohësh të mblidhet grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

“Prej javësh kam kërkuar mbledhjen e grupit parlamentar, për të diskutuar për këtë temë, por nuk kam marrë përgjigje”, thotë Topalli. /a.y/noa.al