Transmetuar më 27-04-2017, 19:33

Nga Edi Rama

Kryeministër

Kemi qenë dhe mbetemi edhe sot, besnikë të asaj linje që kemi bërë publike, se dëshirojmë të zgjedhim një president për të gjithë shqiptarët dhe do të ishim shumë të dëshiruar që Partia Demokratike të merrte pjesë në këtë proces. Për këtë arsye e kemi përshëndetur edhe pikën e parë të platformës së kompromisit, të propozuar nga i dërguari i Partive Popullore Europiane, për t’i dhënë mundësi zgjedhjes së një presidenti sa më konsensual. Por, mesa duket, nuk është ende e mundur të parashikohet se kur Partia Demokratike do të kthehet në rrugën e arsyes.

Pasnesër skadon afati për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet e 18 qershorit dhe sigurisht që ne do të respektojmë afatin dhe patjetër, ne do të respektojmë edhe datën e përcaktuar nga Presidenti i Republikës, në bazë të Kushtetutës së Republikës, për të shkuar përpara popullit dhe për të marrë me votë gjykimin e tij, për këtë mandat që po shkon drejt mbylljes.

Nga ana tjetër më vjen mirë që të rinënvizoj faktin që edhe njëherë ne  provuam jo me fjalë, por me fakte që çfarë kemi thënë në mënyrë të përsëritur, që jemi të gatshëm për dialog pa kushte, është e sinqertë dhe e vërtetë. Kemi pritur me krahët hapur të dërguarin e Partive Popullore Europiane, një personalitet i lartë i Parlamentit Europian, Kryetar i Komisionit të Jashtëm dhe një ndër përfaqësuesit më në zë të partisë së kancelares Merkel, së bashku me eurodeputetin Knut Fleckenstein dhe kemi pranuar brenda pak sekondave, platformën e kompromisit të propozuar prej tyre.

Pasi ata kanë takuar Kryetarin e Partisë Demokratike, kanë propozuar për një tryezë dialogu. Kemi shkuar në tryezën e dialogut, përsëri me krahët hapur, për të folur pa kushte, për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme dhe aty kemi gjetur për fat të keq, jo Partinë Demokratike dhe kryetarin e Partisë Demokratike, por përsëri miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Një skenë që uroj të mos përsëritet më kurrë në historinë  e politikës shqiptare, ku dy palët rrinë në dhoma të ndryshme, me asistencë të huaj, për të komunikuar me njëra-tjetrën.

Na janë vënë në tavolinë edhe dy propozimet e reja që ishin jashtë platformës,  në përpjekjen vullnetmirë për të gjetur një kompromis. Na është propozuar një shtyrje të datës së zgjedhjeve deri në 16 korrik dhe mundësia për të prekur qeverinë në poste kyçe që lidhen me  sektorë ku mendohet  se mund të ketë influencë të drejtpërdrejtë qeveria mbi zgjedhjet. Përgjigja ime ka qenë shumë e qartë, nuk kam thënë “po”, nuk kam thënë “jo”, kam thënë vetëm që jemi të hapur, do ta diskutojmë, por pa Vetting-un nuk kemi se çfarë diskutojmë tjetër.

Që do të thotë se Vetting-u është arsyeja pse është gjymtuar Parlamenti.

Vetting-u është arsyeja  pse është ngritur çadra.

Vetting-u është arsyeja pse Partia Demokratike nuk shkon në zgjedhje.

Vetting-u është edhe arsyeja më e qenësishme e betejës sonë për të reformuar drejtësinë.

Nuk ka zgjatur shumë, vetëm pak minuta dhe kemi dëgjuar se Kryetari Partisë Demokratike ka ikur.

Jemi sot në këto kushte dhe ne vazhdojmë të mendojmë se e mira do të ishte që të gjitha  partitë të shkojnë përpara popullit. Por vazhdojmë të mendojmë po ashtu, që popullin askush nuk mund ta ndalë që ditën që përcakton Kushtetuta, të drejtën e tij për të gjykuar partitë, të gjykojë partitë. E ndërkohë jemi angazhuar për një proces të qartë, të pastër, të plotë, zgjedhjesh të lira dhe të ndershme për të gjithë ata që do të marrin pjesë.

Sapo më ka informuar Ministrja e Arsimit që në media është publikuar një video, ku një mësuese në klasë u thotë nxënësve se duhet të shkojnë në takimin që ne kemi në Kavajë.  Në bazë urdhrit të nxjerrë, ministrja e ka shkarkuar dhe larguar nga sistemi arsimor, atë mësuese. Unë dua ta them edhe njëherë sot, qartë dhe prerë për të gjithë mësuesit dhe mësueset e Republikës së Shqipërisë, çdo mësues dhe mësuese ka lirinë e të drejtën e plotë të angazhohet me çdo parti politike, ka lirinë e të drejtën e plotë të flasë me votues të parë, me të rinj, me kolegë, kolege, me këdo, por është në shkelje  flagrante, jo vetën në shkelje të ligjit, por edhe të etikës së shkollës që ne duam, nëse e bën këtë në klasë, nëse e bën brenda mureve të shkollës. Ne kemi pasur plot video, plot fotografi, të dërguara nga njerëz për mësueset në çadër, për nxënësit në çadër dhe nuk ka një dëshmi të vetme që atyre u ka hyrë gjemb në këmbë.

Për ne është e qartë dhe shumë e thjeshtë, shkolla është shkollë, klasat janë klasa, oborret e shkollave janë oborre shkollash dhe në atë hapësirë është shteti garanti i të gjithë fëmijëve, nxënësve, mësuesve, se ata janë të lirë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda shkollës, pa qenë të kërcënuar, as të urdhëruar, as të sugjeruar që të marrin pjesë në aktivitete politike.

Ashtu sikundër jashtë mureve të shkollës janë të gjithë të lirë të bëjnë atë që duan. Nëse më tregoni mësuese, mësues, që bëjnë politikë në klasë, do të dalin nga sistemi. Nëse na tregojnë mësuese dhe mësues që angazhohen jashtë mureve të shkollës, unë vetëm do t’i përshëndes me respektin më të madh, nëse janë mbështetësit tanë, nëse mbështesin reformat tona, nëse mbështesin rrugën tonë. Janë të lirë ta bëjnë. Kjo është një ndarje e qartë dhe e thjeshtë. Kufiri është shkolla.

Task-forca e ministres së Arsimit për të monitoruar me rigorozitetin më të madh çdo lloj ngjarje të natyrës politike, apo çdo lloj veprimtarie individuale apo në grup brenda mureve të shkollës, do të qëmtojë dhe do të ndëshkojë çdo gjë të kësaj natyre. Përndryshe, tjetër themi, tjetër bëjmë. Po “tjetër themi, tjetër bëjmë” nuk jemi ne. Nuk është Partia Socialiste. Nuk është kjo qeveri, që po lufton kaq shumë për të bërë shtet në këtë vend e për të bërë reforma që do ta bëjnë Shqipërinë shtet serioz në çdo sektor, patjetër, duke filluar nga shkolla.

Kjo është një thirrje për të gjithë deputetët dhe për të gjithë aktivistët tanë që të funksionojmë me këtë frymë dhe me këtë vullnet. Të bëjmë ç ‘është e mundur, që sa më shumë njerëz, edhe mësuese dhe mësues, nxënës dhe votues të parë, të na bashkohen, po kurrë duke shfrytëzuar shtetin, apo duke shkelur kufirin që ndan shkollën dhe shtetin nga politika dhe partitë.

Unë dua të rinënvizoj se procesin do ta vazhdojmë siç e kemi zhvilluar deri tani dhe zgjedhjet do të jenë në 18 qershor, pasi vend për lojëra nuk ka më dhe sigurisht, edhe koha për dialog po skadon. Kështu që, lojëra me 1 milionë njerëz që na kanë dhënë besimin për të qeverisur, për të reformuar dhe për të bërë shtet Shqipërinë dhe për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, që janë të parat zgjedhje të lira dhe të ndershme që organizon shteti ynë me këtë qeveri, ne nuk bëjmë.

Të jemi të qartë dhe të gjithë ta kenë shumë të qartë. Shumëkush flet për krizë politike, shumëkush flet për krizë që është dramatike, tragjike e ku di unë. Për mua ka qenë dhe mbetet kriza nervore e Partisë Demokratike.  

* Nga fjala e mbajtur sot në Kuvend

** Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA