Transmetuar më 27-04-2017, 13:36

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shpreh gëzimin e tij që lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, fitoi të drejtën për t’u kthyer pranë familjes dhe simpatizantëve, të cilët e mbështetën gjatë qëndrimit të detyruar në Francë.

“Ramush Haradinaj fitoi lirinë, për të cilën kanë sakrifikuar ai, familja e tij dhe vetë Kosova. Gjithmonë kam besuar se drejtësia franceze do të vinte në vend një të drejtë të merituar për Ramushin dhe për Kosovën. Dëshiroj të përshëndes këtë verdikt përfundimtar, ndonëse të vonuar, i cili i dha fund një procesi të pakuptimtë juridikisht dhe të padobishëm politikisht”, tha Meta në mesazhin e tij.

Gjykata e Colmarit në Francë vendosi sot të lirojë kreun e AAK-së në Kosovë, i cili u arrestua në 4 janar të këtij viti, pas një fletë-arresti nga shteti serb, i cili e akuzonte për krime lufte.