Transmetuar më 24-04-2017, 15:50

Presidenti Bujar Nishani i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare ish-kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortes së tij Anita Haradinaj.

Dekreti është firmosur sot nga kreu i shtetit shqiptar. “Në mbështetje të nenit 92, pika “c”, dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 9, pika 7, e nenit 20 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, u jepet shtetësia shqiptare me kërkesë të tyre personave të Ramush Hilmi Haradinaj dhe Anita Mustafë Haradinaj”, thuhet në dekretin e presidentit për shtetësinë e Haradinajt.

Edhe pse Ramush Haradinaj është ende në Francë, në pritje të vendimit të gjykatës për ekstradimin ose jo të tij në Serbi, nga Tirana ai ka marrë lajme të mira. Haradinaj u arrestua në janar të këtij viti nga policia franceze, pas një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Edhe pse ndaj këtij vendimi pati shumë reagime nga Kosova e Shqipëria, prej 4 muajsh, Ramush Haradinaj është në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës së Colmarit në Francë. /b.l/noa.al/