Transmetuar më 17-04-2017, 14:55

Sërish një tragjedi në futbollin e Amerikës së Jugut. Gjatë ndeshjes Belgrano-Talleres në Argjentinë, e vlefshme për kampionatin argjentinas, disa tifozë fanatikë të njohur ndryshe si ultras, hodhën nga tribuna e stadiumit “Mario Kempes”, 22- vjeçarin Emanuel Balbo, duke e pandehur tifoz kundërshtar.

I riu ra nga dhjetë metra lartësi, ku pasi u dërgua në spital në gjendje të rëndë, mjekët deklaruan vdekjen e tij.

Siç deklaroi babai i të riut, versioni i të cilit u konfirmua nga policia lokale, Emanuel kishte njohur vrasësin e vëllait 14- vjeçar, i shtypur me makinë në vitin 2012 dhe që procesi ndaj tij është ende në vijim, shkruan noa.al.  

Në atë moment burri për të shmangur ndonjë agravim të situatës bërtiti duke thënë se Balbo ishte tifoz i Tallers dhe në atë moment ultrasit, fillimisht e rrahën të riun dhe më pas e hodhën nga tribuna. Policia ka identifikuar katër persona si të dyshuar për ngjarjen dhe dy prej tyre janë arrestuar. /a.y/noa.al