Transmetuar më 30-03-2017, 17:50

Shqipëria ka një numër të lartë të punësuarish në turizëm dhe listohet si vendi i tretë në botë që siguron punësim të lartë në këtë sektor, sipas të dhënave të World Travel and Tourism Council (WTTC).

“Shqipëria vjen si surprizë në vendin e tretë, ku 24 % e vendeve të punës (një në 4) janë ri rezultat i turizmit. Për 50 vjet e mbyllur nga bota, Shqipëria ende nuk mund të quhet destinacion i profilit të lartë turistik, por turistët  tërhiqen nga produktet turistike të panjohura kryesisht në Rivierën Shqiptare dhe Alpet e Shqipërisë.  Brandet ndërkombëtare ende mungojnë në vend, po sipërmarrja është duke lulëzuar dhe kjo do të thotë që autenticiteti është pika më e fortë e turizmit shqiptar”, thuhet në raportin e World Travel and Tourism Council.

Raporti i publikuar së fundi fokusohet mbi impaktin ekonomik të Udhëtimeve dhe Turizmit, fokusuar tek shtetet që krijojnë më shumë vende pune nga turizmi.

Udhëtimet dhe Turizmi gjenerojnë se bashku 10% të punësimit në botë, që do të thotë 1 në 10 vende pune. Globalisht 109 milionë njerëz punojnë direkt në industrinë e Udhëtimit dhe Turizmit. Këtu përfshihen pilotë, kuzhinierë, staf hoteli, udhërrëfyes, ekuipazh krocerash por dhe ekonomistë, grafistë, inxhinerë për kompanitë turistike, e deri te shërbimet e lavanterisë, prodhuesit e ushqimit etj.

Rreth 183 milionë njerëz të tjerë varen nga taksat dhe shpenzimet e të punësuarve në turizëm.