Transmetuar më 30-03-2017, 15:39

Dalin detaje të reja lidhur me shqiptarët e Kosovës, të arrestuar nga policia italiane në Venezia, të akuzuar për xhihad.

Të prangosuri janë Arjan Babaj 27 vjeç, Dake Haziraj 25 vjeç, me precedentë penalë në Itali dhe Fisnik Bekaj 24 vjeç, ndërsa krahas tyre u arrestua edhe një person me moshë të mitur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Njësia antiterrorizëm në Itali, arrestoi mëngjesin e sotëm katër shqiptarët, pas hetimeve dhe provave të shumta në sajë të përgjimeve, duke i akuzuar si pjesë të një celule xhihadistësh.

Të dyshuarit rezultojnë me leje qëndrimi të rregullt në Itali, ndërsa kishin planifikuar hedhen në erë të një prej urave më antike në Venezia, urën e Rialto.

“Do të fitojmë parajsën nëse hedhim në erë urën Rialto, do shkaktojmë  qindra të vdekur”, janë dëgjuar të dyshuarit duke folur në bisedat telefonike mes tyre.

Ata shpreheshin më tej “Mezi po pres t’i betohem Allahut, ishallah më lejojnë të bëj betimin jam gati të vdes”.

Operacioni është koordinuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Drejtoria Rajonale Antimafia dhe Antiterrorizëm. Përveç arrestimeve, janë kryer edhe 12 kontrolle, 10 prej tyre në qendrën historike të Venecias, një në Mestre dhe një në Trevizo.

Pasi është individualizuar celula, është rindërtuar dinamika e marrëdhënieve, radikalizimi fetar i subjekteve të ndryshme dhe identifikimi i vendeve që frekuentonin./a.y/noa.al

Shkatërrohet celula xhihadiste, arrestohen 4 shqiptarë të Kosovës në Itali