Transmetuar më 24-03-2017, 17:45

Një drekë miqësore e njëkohësisht një takim mbi perspektivën e ekonomisë së peshkimit zhvilloi sot kryeministri Edi Rama në Durrës, me peshkatarë e drejtues të anijeve të peshkimit në këtë zonë.

Sektori i peshkimit, i cili deri para 4 vitesh ishte i përfshirë nga kaosi dhe mungesa e një tregu të formalizuar, sot numëron 1000 vende të reja pune dhe shumëfishim të prodhimit të peshkut. Për këtë dëshmojnë vetë peshkatarët, që tashmë ndihen të barabartë në konkurrencën e tyre me fqinjët.

Duke rikujtuar një vizitë të tre viteve më parë me punonjës të këtij sektori, atëherë tepër skeptikë për reformën në sektor, Kryeministri vuri në dukje se panorama që ofrohet sot është krejtësisht e ndryshme dhe premtuese. Kryeministri tha se në perspektivën e zhvillimit të sektorit të peshkimit është edhe projekti për portin, krijimi i një markate europiane të peshkut, bursa e peshkut dhe fuqizimi i flotave.

“Kemi folur atëherë dhe kishte shumë skepticizëm. Të them të drejtën e vija re që s’kishit besim, se kishte shumë vite që vinit vërdallë. Por fakt është që sot kemi afërsisht 4000 ton prodhim, që janë të deklaruara dhe që kanë shkuar në tregun e brendshëm dhe në eksport. Fakt është që sot kemi rreth 1000 punonjës të rinj në këtë sektor.

Fakt është që sot për komunitetin e peshkimit në Shqipëri, rregullat e lojës janë njësoj, jo siç ishin përpara me atë historinë e naftës që ishte një histori e tmerrshme. Patjetër që tani na duhet të shohim përpara se do bëjmë një markatë peshku europiane, bursën e peshkut dhe patjetër që duhet të fuqizojmë flotat.”- u shpreh kryeministri.​/b.l/noa.al/