Transmetuar më 23-03-2017, 10:38

Aktivisti i Vetëvendosjes është dhunuar mbrëmjen e djeshme kur shoqëronte sekretarin organizativ të kësaj partie. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 23:35, kur persona të panjohur e kanë sulmuar Agron Kabashin, i cili kishte shoqëruar me makinë Sekretarin Organizativ, Dardan Molliqaj në studiot e një televizioni në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza” tek banesa e Dardan Molliqajt, ku aktivisti Kabashi ka lënë Molliqajn dhe po kthehej me makinë. Siç raportojnë mediat në Kosovë, ai është goditur me shufra metalike duke i shkaktuar lëndime trupore dhe tani ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Nga dëshmitë e para mësohet se autorët e kanë kërcënuar aktivistin Kabashi dhe i kanë thënë të mos e shoqërojë më asnjëherë Molliqajn, duke lënë shkas se sulmi ka motive politike dhe është sulm ndaj Sekretarit Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje. Momentalisht policia po heton mbi ngjarjen./b.l/noa.al/