Transmetuar më 19-03-2017, 16:04

Një gjykatë greke dha dënim kapital për të riun shqiptar Klodian Lesi, i cili u akuzua për vrasjen me thikë të bashkëshortes së tij greke, Lejla Mavromati dhe rrëmbimin e një prej fëmijëve të tyre, djalin katër vjeç Fivo.

Ngjarja ndodhi janarin e vitit të kaluar në Theofania të Halkidhikisë, pjesë e rajonit të Selanikut, raporton noa.al duke cituar bashkëpunëtorin e saj në Greqi.

Atëherë, Klodi Lesi u ende në arrati për 18 ditë rresht derisa iu dorëzua prangave policore.

Klodi Lesi u gjet fajtor për akuzën e vrasjes në kushte gjakftohtësie dhe për akuzën e dytë, armëmbajtje pa leje.

Gjykata e mori vendimin për 35-vjeçarin Klodi Lesi, pas një maratone seancash.

I akuzuari dhe avokati i tij, thanë se vrasja u krye në kushtet e tronditjes psikike. I pandehuri tha në sallën e gjyqit edhe se ishte penduar për atë që kishte ndodhur.

Kurse theksoi shpesh se nuk mbante mend shumë gjëra nga dita kur i mori jetën të shoqes 41-vjeçare.

Për prokuroren Evangjelia Karanika këto pretendime të të pandehurit ishin të papranueshme.

Duke i bërë një rezyme karakterit të të akuzuarit dhe duke u mbështetur në dëshmitë e dëshmitarëve, prokurorja e cilësoi Klodi Lesin si njeri "me të kaluar të mjegullt", duke e përshkruar atë si "nervoz", "egoist" dhe me "sjellje despotike ndaj familjes."

"Ai donte të kishte gjithçka nën kontroll dhe mendonte se e drejta anonte gjithnjë nën anën e tij”, – theksoi prokurorja Karanika.

I pandehuri kërkoi ndjesë ndaj familjarëve të gruas që vrau duke u thënë se ishte i penduar për atë që bëri dhe se ndjehej i turpëruar.

Në sallën e gjyqit ai rrëfeu dhe çfarë ndodhi në ditën fatale. NOA.al zbardh dëshminë e tij.

Klodi tha se atë ditë, gruaja me të cilën së fundi ishin ndarë, e telefonoi dhe i tha që të mos shkonte ta merrte djalin e tyre Fivon, edhe pse ndryshe kishin rënë dakord.

“Në këtë telefonatë, ajo më njoftoi edhe se kishte gjetur një avokat dhe kishin rregulluar që mos i shihja më fëmijët. Kurse më tha edhe: Bëje jetën tënde vetë”.

Klodi vijoi me dëshminë e tij: “U nxeha keq me ato që më tha. Më iku mendja. Vendosa të shkoj në shtëpi e ta flas me të. Isha i pirë. Nga ai moment u shua kujtesa ime. Erdha në vete kur kuptova se e kisha vrarë dhe përballë kisha djalin gjashtë vjeç e gjysmë.

Mora Fivon dhe i hipa motorit. Në fytyrë kisha gjak. Pashë policinë në rrugë. Nuk po kuptoja pse po vinin. Mendova ngaqë kisha marrë djalin e vogël dhe po ikja. U largova dhe për 18 ditë kam ndejtur me djalin”, – rrëfeu Klodi.

I riu tha se e kishte dashur shumë të shoqen. “Kur më thanë në polici se e kisha vrarë, pësova shok”, – shtoi ai.

Më tej Klodi bëri dhe një dialog pyetje-përgjigje me kryetarin e trupit gjykues, të cilin NOA.al jua sjell të plotë më poshtë:

Pyetje: Çfarë bëtë ato 18 ditë me Fivon?

Përgjigje: Bëra gjithçka që ai mos kishte uri dhe mos ftohej. E ushqeva. Vidhja pula nga kotecet përreth. Flinim nëpër baraka. Kisha gjetur batanije dhe xhup nga një kamping.

Pyetje: Fëmija çfarë thoshte:

Përgjigje: E mori si një xhiro, shëtitje. Besonte se ishim duke luajtur lojë me policë.

Pyetje: Pse e morët fëmijën?

Përgjigje:

Nuk e di si mu ngrit mendja.

Të gjitha deklarimet e të pandehurit nuk e bindën gjykatën. Ata vendosën ta dënojnë me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes gjakftohtë dhe me pesë vjet burgim shtesë për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, dy vogëlushët e çiftit tragjik, tashmë jetojnë me gjyshin dhe gjyshen e tyre. /a.b/n.s/noa.al/