Transmetuar më 18-03-2017, 11:30

Nuk ka mjaftueshëm para për të paguar drekën për të gjithë, kështu një baba nga Filipinet, qëndron i ulur dhe sheh dy vajzat e tij duke ngrënë në fast food.

Fotografia e publikuar në Facebook nga Jhunnel Sarajan, në pak kohë bëri xhiron e botës.

Agjenti imobiliar i cili e fotografoi, donte të dinte më shumë dhe të njihte historinë e atij babai të dhimbsur për t’i dhënë një dorë. Burri në fotografi quhet Ryan Arebuabo, është 38 vjeç dhe jeton në një barakë në Manila.

Vajzat e tij Rose Ann, 8 vjeçe dhe Rose Mae, 6 vjeçe, janë pasuria e tij më e madhe, por që fatkeqësisht nuk arrin që t’u japë atyre gjithë çfarë dëshiron, duke qenë se para disa vitesh kaloi një infarkt, i cili e la me pasoja, dhe pas kësaj ngjarje, gruaja e braktisi bashkë me të bijat, shkruan noa.al.

“Kjo është fotografia e dashurisë së një babai. Një shprehje e altruizmit të vërtetë”, shkruan ai në fotografi.

Babai i çoi vajzat në fast food, për të festuar për notat e mira të njërës prej tyre, por nuk kishte para për të blerë për të gjithë dhe mori për to pulë të skuqur, ndërsa vetë u mjaftua duke i parë./a.y/noa.al