Transmetuar më 17-03-2017, 15:10

Baku, 17 mars 2017, NOA.al- Presidentit Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në edicionin e pestë të Forumit Global të Baku-së, zhvilloi sot një vizitë edhe në Universitetin shtetëror Filologjik të Azerbajxhanit.

Kreut tw shtetit, iu akordua nga rektori në detyrë i këtij Universiteti, Afgan Ali Abdullayev, titulli “Doktor Nderi”.

Presidenti Nishani falënderoi trupën drejtuese dhe akademike të Universitetit për titullin e akorduar, si dhe përshëndeti studentët e shumtë, azerë dhe të huaj, të pranishëm në këtë ceremoni.

Në mesazhin drejtuar auditorit, Nishani përgëzoi trupën akademike për vijimin e traditës së bukur të krijuar nga akademikët dhe profesorët azerë afro një shekull më parë, si dhe theksoi se fuqia që studentët marrin në auditoret e këtij universiteti e bën më të lehtë ndërveprimin mes kulturave të ndryshme, dhe për më tepër mes dy popujsh të vjetër, shqiptarëve dhe azerëve.

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu kënaqësinë dhe vlerësimin për marrëdhëniet e mira e intensive mes dy vendeve, veçanërisht në dy vitet e fundit, si dhe theksoi se më shumë duhet bërë edhe në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe arsimore.

“Do të ishte ideale që dy vendet të rrisnin me sa mundësi kanë shkëmbimin e studentëve dhe të eksperiencave të vlefshme akademike”, u shpreh Presidenti Nishani.

 Presidenti Nishani iu përgjigj më pas interesimit të studentëve lidhur me bashkëpunimin dhe aspektet që i afrojnë dy vendet me njeri-tjetrin, si dhe la një shënim të shkurtër edhe në librin e miqve të Universitetit shtetëror Filologjik të Azerbajxhanit.