Transmetuar më 17-03-2017, 13:50

Tiranë, 17 mars 2017, NOA.al- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në një takim kryebashkiakun e Firenzes, Dario Nardella.

Gjatë takimit me kryebashkiakun italian Veliaj diskutoi mundësinë e rritjes së bashkëpunimit mes dy qyteteve për projekte në çështjet e kulturës, transportit publik, ndriçimit etj.

Dy homologët vlerësuan se komuniteti i madh shqiptar që jeton në Firenze si dhe ai italian në Tiranë, janë një urë komunikimi mes dy vendeve, për ndërtimin e një raporti edhe më dinamik në të ardhmen.

Kryebashkiaku Veliaj e informoi homologun Nardella me projektet e mëdha të Tiranës, veçanërisht për sheshin “Skënderbej”, Bulevardin e Ri dhe Pazarin e Ri, i cili u çel para pak ditësh për qytetarët. Ata zhvilluan një vizitë edhe në kantierin e punës në sheshin “Skënderbej”, ku Veliaj e njohu homologun e tij me ecurinë e punimeve. Më tej, Veliaj dhe Nardella mbollën në mënyrë simbolike edhe disa pemë në shesh.

“Komunikimi mes qyteteve është po aq i rëndësishëm sa komunikimi mes shteteve. Ndaj, është një mundësi fantastike kur kryetarët e bashkive shkëmbejnë ide se si qytetet mund të jenë më të gjelbra, më të jetueshme, ku qytetarët bëjnë realitet ëndrrat e tyre. Në këto kohë kur diskutohen politika të populizmit, ku sensi cinik dhe i mohimit të gjithçkaje është i lartë, besoj se kundra-oferta janë politikat progresive”, tha Veliaj.

Nga ana e tin Nardella vlerësoi dëshirën e dinamizmin e tij për shndërrimin e Tiranës në një qytet model Europian.

“Në këtë qytet të madh ndjej entuziazëm, dëshirë për t’u rritur; kjo është energjia e duhur që i shërben një vendi si Shqipëria dhe një vendi si Europa. Shpresoj që raporti që mund të rritet midis Tiranës dhe Firenzes mund të jetë një pikë drejt Europës që ndihmon për ta çuar Shqipërinë në Europën e Bashkuar. Jemi gati t’i japim një dorë të madhe këtij qyteti e ndihem i lumtur që u njoha me kryebashkiakun, një njeri i ri, por shumë dinamik, me një eksperiencë të bukur. Të mos harrojmë se kemi shumë shqiptarë në Firenze, një arsye më shumë për të krijuar një raport të vërtetë, konkret, dinamik”, tha Nardella.

Veliaj tha më tej se nga ky bashkëpunim do të bëhet më shumë në çështje të kulturës, të transportit publik, të ndriçimit e ide të tjera. Duke e cilësuar fantastike mbjelljen e 5 mijë pemëve brenda këtij muaji, ai theksoi se aty ku ka vullnet mund të bëhen gjëra të mrekullueshme.