Transmetuar më 15-03-2017, 09:23

Dy persona të tjerë janë arrestuar si të përfshirë në grabitjen që ndodhi në rrugën e Rinasit. Në pranga kanë përfunduar Aleksandër Murataj, 41 vjeç dhe Dritan Sinani, 43 vjeç, të dy banues në Tiranë. 

Aleksandër Murataj është vëllai i të dyshuarit kryesor, si kreu i grupit të grabitësve të parave në segmentin Qafë Kashar-Rinas, Admir Murataj.

Me arrestimin e Muratajt dhe Sinanit shkon në 9 numri i personave që janë vendosur në pranga nga banda e grabitësve në rrugën e Rinasit.

Grupi hetimor deri tani ka arritur të mbledhë prova se të arrestuarit, kohë më parë dhe dy të fundit kanë marrë pjesë në grabitje.

Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika i kanë dhënë informacion Neim Avdulajt se nga banka do të lëviznin shuma të mëdha parash duke qenë se punon në policitë private.

Më pas Avdulaj ia ka përcjellë informacionin Admir Çerpjas, i cili ka njoftuat Dash Kupën. Ky i fundit ka organizuar mënyrën se si do të goditeshin blindat me para.

Pjesë e grupit dyshohet të ketë qenë Ernest Kupa si dhe i shpalluri në kërkim Admir Murataj. Me hetimet po merret Prokuroria e Krimeve të Rënda.