Transmetuar më 08-03-2017, 12:21

Tiranë, 8 mars 2017, NOA.al- Ministri i Financave, Arben Ahmetaj lajmëroi se sot hyn në fuqi rritjen e pagave për punonjësit e administratës publike.

Në një konferencë për mediat, ai dha edhe shpjegimin sipas kategorive përfituese.

“Pas rritjes së pensioneve më 1 mars, duke angazhuar fondin më të madh të rritjes i akorduar nga buxheti i shtetit për rritjen e pagave, nga sot rritja e pagave mesatarisht 10% për punonjësit e administratës publike, nëpunësit civilë, aparatet e ministrive të linjës, administrata e Presidentit, administrata e Kuvendit, KQZ, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe administratën e Prefektit”, u shpreh Ahmetaj.

Ai tha më tej se sot është jetësuar edhe rritja e pagave për punonjësit në arsimin parauniversitar, me 10%, ku paga bazë rritet me 3850 lekë të reja në muaj dhe paga bruto shkon 68150 lekë në muaj për mësuesit në shkollë e mesme.

Ndërkohë për mësuesit e ciklit të ulët paga bazë rritet 3350 lekë në muaj dhe shkon 62450 lekë në muaj paga bruto.

Lidhur me mësuesit e shkollës së lartë deklaroi paga bazë rritet me 3550 lekë në muaj dhe paga bruto shkon 64 650 lekë në muaj.

Më tej tha se rriten pagat me 10% për sistemin shëndetësor dhe 7% për punonjësit e administratës së njësive vendore. Rritja e pagave në këtë sistem shoqërohet dhe me rritjen e pagave në sistemin e arsimit të lartë 10-12% për 3500 profesorë dhe punonjës akademikë./a.y/noa.al