Transmetuar më 08-03-2017, 10:59

Tiranë, 8 mars 2017, NOA.al- Kryeministri Edi Rama bashkë me të shoqen Linda organizuan një pritje në Pallatin e Brigadave, me rastin e ditës së gruas, 8 Marsit.

Ishte zonja Rama ajo që çeli aktivitetin, e cila ishte dhe organizatorja e tij, duke uruar të pranishmet për festën.

Kreu i qeverisë tha në fjalën e tij, se roli i grave në shoqëri është i pazëvendësueshëm.

Ai shprehu bindjen se sa më shumë vend, gra dhe vajza të gjejnë në shoqëri dhe sa më shumë t’u besohet grave dhe vajzave atë që konsensualisht u besohet edhe brenda mureve të shtëpisë, sa më shumë vetëdijësohemi se roli i tyre i pazëvendësueshëm.

“Nuk është zemërgjerësi por është vetëdije se sa më mirë të jenë gratë dhe vajzat rreth teje aq më mirë është për ty dhe sa më mirë të jetë shoqëria falë grave dhe vajzave aq më mirë është për ty. Nga lartësia e 198 cm të mia unë mund t’i siguroj gjithë burrat se sa më pak frikë që të kenë nga protagonizmi i grave aq më të sigurt dhe të mbrojtur do jenë”, u shpreh Rama.

Nga ana e saj zonja Rama ndau një emocion nga fjalët e përjetuara nga djali i vogël Zaho.

“Ti mama Linda je shumë e bukur. Aty më çarmatosi dhe më bëri të mendoj që fjala që kisha përgatitur ia vlente ta hidhja në kosh dhe te mendoja që e nesërmja do jetë me diell e bukur si kjo ditë 8 Marsi”, tha Linda, duke zgjedhur fjalë nëne./a.y/noa.al