Transmetuar më 02-03-2017, 22:21

Thonë që kafshët e nuhasin me kilometra larg të zotin. Ky është mendimi i parë kur sheh nga larg shtëpinë e Fadil Ismajlit, shqiptarit që bashkëjeton me tre ujqërit e tij Alek, Lupo dhe Luna.

"Pasdite në Top Channel" udhëtoi në fshatin Leshkë të Tetovës, aty ku Fadilin e njohin të gjithë. Jo sepse është i vetmi shqiptar në zonë, por sepse tre ujqërit të cilët i mban në shtëpi kanë marrë vëmendjen e të gjithëve. Ata të tre nuk janë si ujqërit e frikshëm te përrallave. Janë të bukur, fisnikë, lozonjarë. Nga rrëfimet për kafshët, figura e tij ngjason me atë të një Mogli modern.

"Gjithmonë i kam dashur kafshët. Kur isha i vogël merrja qenin dhe shkonim në mal të takonim ujqërit. Kjo kafshë ka tejkaluar pritshmëritë e mia, dhe ata janë miqtë e mi më të mirë, dhe të familjes time gjithashtu" – thotë Fadili.

Së bashku me gruan e tij, Asijen, ai përkujdeset për ujqërit njësoj siç kujdesen edhe për dy fëmijët e tyre. "Ndonjëherë kujdesem për ta më shumë se për fëmijët e tij. Se fëmijët ndonjëherë më bëjnë nervoz, ndërsa këta jo" – thekson me shaka Fadili.

Çifti Ismajli i ushqen, pastron dhe ledhaton tre "fëmijët" e tjerë të tyre. Në veçanti, Fadili i cili është edhe një njohës shumë i mirë i ujqërve, tregon edhe për tipare të tjera të veçanta. Ai thotë se ujqërit janë në gjendje të njohin një njeri në bazë të nuhatjes, nëse ai do ta dëmtojë ose jo.

"Ujku është e vetmja kafshë që di të buzëqeshë. Kur tregojnë dhëmbët, nuk do të thotë se janë agresivë dhe duan të të hanë. Ata kanë mimikat e tyre, gjestet, komunikimin. Ujqërit e dallojnë menjëherë njeriun e mirë dhe të keq. Nëse ujku të puth dhe të hidhet në shpatull, atëherë ai të ka pranuar dhe të do shumë", thotë Fadili.