Transmetuar më 17-02-2017, 16:56

Në ambientet e kompanisë ALBtelecom është zhvilluar sot mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Punës, ku temë kryesore e saj ishte rritja e nivelit të pagës minimale në vend, duke filluar prej 1 Marsit 2017.

Prej disa javësh Ministri i Mirëqenies Sociale kishte deklaruar se gjatë mbledhjes së radhës do të merrej një vendim i KKP-së, i cili kishte rënë dakord paraprakisht edhe me grupet e interesit.

Ministri Klosi gjatë fjalës së tij edhe në cilësinë e kryetarit të Këshilli Kombëtar të Punës theksoi se kompani të tilla si ALBtelecom janë kompani për t’u marrë shembull për vetë kushtet moderne të punës, sigurinë maksimale për punonjësit, nivelin e lartë të pagave etj. Kjo është një ndër arsyet pse ne sot kemi zhvendosur mbledhjen pikërisht në këto ambiente, duke dashur të krijojmë të promovojmë modele sa më të përsosura biznesi.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës u pritën nga Kryetari i Bordit të kompanisë ALBtelecom, z. Giuseppe Farina, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se: “Për ne është një nder i veçantë që sot, mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Punës zhvillohet në ambientet e kompanisë sonë, e për më tepër që në axhendën e kësaj mbledhjeje është në diskutim një çështje me interes kaq të veçantë, siç është rritja e nivelit të pagës minimale të punonjësve.

Më vjen mirë që sot jam në pozitën e mikpritësit të këtij aktiviteti, dhe përfaqësues i një kompanie që është një prej punëdhënësve model, më të mëdhenj dhe më korrekt në vend, duke kontribuar në këtë mënyrë në rritjen e nivelit të punësimit dhe rritjen e ekonomisë shqiptare në përgjithësi” – përfundoi z. Farina.

ALBtelecom është një nga kompanitë dhe punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri, e cila ka edhe Akademi të Trajnimeve, të themeluar para 3 vitesh, me miratimin e Ministrisë së Arsimit, me qëllim zhvillimin profesional të ekspertëve të fushave të ndryshme, veçanërisht të fushës së Telekomunikacionit.